Site icon Telegrafi

​Promovohet libri “Shqiptarët dhe serbët, e vërteta kundër të pavërtetës”, me autor Shyqri Nimani

Është promovuar libri “Shqiptarët dhe serbët- e vërteta kundër të pavërtetës”, me autor Shyqri Nimani.

Në liber shkruhet për masakrat e serbëve ndaj shqiptarëve në luftërat ballkanike 1912-1913, dëshmitë ndërkombëtare për mizoritë serbe ndaj shqiptarëve, protestat e shqiptarëve kundër projekteve gjenocidale serbe, kontributi i shqiptarëve për popullin serb (por edhe grek), 78 ditë bombardime të NATO-s, e më radhë.

Duke folur për rëndësinë e këtyre temave të trajtuara nga autori, djali i Nimanit, Alban Nimani derisa ka treguar qëllimin që është shkruar ky libër, shpreson se e vërteta në këtë libër të jetë mesazh për dy popujt në mënyrë që të kalohen luftërat e urrejtjet dhe të jetohet në paqe.

“Ky është libri i tetë prej këtij koleksioni dhe është i parafundit, sepse ka lënë edhe një dorëshkrim tjetër gati të cilin do të përfundojmë brenda këtij viti shpresoj. Është libër për historinë e shqiptarëve, ka qenë shumë e dhimbshme kur e kam lexuar, sepse historinë e kemi shumë të dhimbshme, por mendoj se në fund e ka bërë me një mesazh shumë të rëndësishëm, e ka bërë, pse njerëzit duhet të vallëzojnë vallen e djallit, por pse nuk mund të bëjmë vallen e dashurisë. Shpresojmë se kjo e vërteta në këtë libër të jetë mesazh për dy popujt tonë t’i tejkalojmë luftërat, urrejtjet dhe të bashkëjetojmë me paqe të përbashkët në Ballkan”, tha ai.

Ndërsa, historiani, Jusuf Buxhovi derisa ka theksuar rëndësinë e këtij libri, ka bërë thirrje qeverisë e diplomacisë të shpërndajë sa më shumë këtë libër, në mënyrë që t’i përgjigjet propagandës që po bënë Serbia.

“Ky libër është vazhdimësi e punës së gjatë të autorit për të pasqyruar një të vërtetë të fshehur apo përvetësuar nga politika hegjemoniste serbo madhe, planin historik dhe prej momentit që ai ka botuar librin e parë të kësaj natyre, ka hap një dimension të ri të kësaj problematike që i ka munguar hartografisë tonë…E vërteta absolute që i referohet është aspekt moral, raportet shqiptare-serbo nuk kanë qenë morale, kanë qenë raporte hegjemoniste, mes viktimës dhe viktimizuesit, raporte të cilat më së paku ka pas moral…12:30 Mirë që ministria e ka përkrah këtë libër, ky libër duhet shteti i Kosovës, qeveria e diplomacia të shpërndajë sa më shumë, në mënyrë që në një mënyrë t’i përgjigjet gjithë asaj propagande që po bënë Serbia, veçmas në planin kulturor, te rrënimit të historisë tonë”, tha ai.

Në anën tjetër, poeti, Lulzim Tafa ka thënë se autori në këtë libër sjell argumente e të dhëna nga studiuesit e huaj eminent për agresione e masakra të kryera mbi shqiptarët.

“Nimani sjellë argumente dhe të dhëna nga studiuesit e huaj eminent për agresione e masakra të kryera mbi ne shqiptarët deri në intervenimin e aleancës veri perëndimore për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb. Autori na sjell në kujtesë edhe personalitete të shquara të historisë shqiptare që i dhanë shumë humanizmit e kulturës botërore”, tha Tafa.

Exit mobile version