Site icon Telegrafi

Promovohet libri “Praktika Gjyqësore Përmbarimore” nga Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata”

Në një ngjarje të rëndësishme për komunitetin ligjor dhe financiar, Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata” ka promovuar sot librin “Praktika Gjyqësore Përmbarimore, përmbledhje e vendimeve të Gjykatës Komerciale të Kosovës”.

Ky publikim sjell një risi në fushën e publikimeve ligjore, duke përfshirë 71 vendime të përzgjedhura nga mbi 800 vendime të shqyrtuara, të ndara në 9 kapituj tematikë.

Libri ofron një pasqyrë të detajuar të procedurave përmbarimore në Kosovë, që nga themelimi i Gjykatës Komerciale deri në fund të vitit 2023.

Drejtori i Shoqërisë së Avokatëve, Urim Vokshi, theksoi rëndësinë e këtij publikimi për profesionistët e fushës, duke e cilësuar atë si një udhëzues të detajuar për avokatët, përmbaruesit dhe bizneset.

“Ky libër është një burim i vlefshëm për përmirësimin e efikasitetit dhe transparencës në proceset përmbarimore,” u shpreh Vokshi.

Bashkëautori i librit, avokati Florin Lata, sqaroi se ky publikim synon të rrisë ndërgjegjësimin për unifikimin e praktikave gjyqësore dhe të forcojë sigurinë juridike në vend.

Lata gjithashtu nënvizoi se qëllimi i Shoqërisë së Avokatëve “Vokshi & Lata” është të kontribuojë në zhvillimin e shoqërisë përmes publikimeve të vazhdueshme ligjore.

Në panelin e promovimit morën pjesë edhe kontabilisti Luan Matoshi dhe juristja Afërdita Shala, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe theksuan rëndësinë e informimit të palëve të përfshira në procedurat përmbarimore mbi praktikat gjyqësore në Kosovë.

Libri është i disponueshëm për t’u shkarkuar falas në formë elektronike përmes web faqes zyrtare të “Vokshi & Lata”. /Telegrafi/

Exit mobile version