Site icon Telegrafi

Promovohet libri kushtuar mësuesve të shkollës shqipe në diasporë

Është promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë,  libri “Mësuesia si mision” i Nuhi Gashit.

Promovimi është hapur me këngën “Poçari”, kënduar nga mësues të shkollës shqipe në diasporë.

Libri “Mësuesia si mision” i Gashit është një monografi kushtuar mësuesve të shkollës shqipe në Gjermani, Rifat dhe Nexhmije Hamiti.

I ndarë në katër kapituj kjo monografi shpalos kontributin e çiftit Hamiti për mbajtjen gjallë të gjuhës dhe kulturës tek fëmijët shqiptarë në diasporë, thanë folës gjatë këtij promovimi.

Sipas recensentëve të librit autori i monografisë “Mësuesia si mision” është më meritori për organizimin e mësimit shqip në mërgatën shqiptare.

Studiuesi Shyqri Galica, recensent i librit, “Mësuesia si mision”, tha gjatë fjalës së tij se përmes kësaj monografie shtjellohet kontributi i çiftit Hamiti për shkollës shqipe dhe veprimtari tjera patriotike e kulturore në Gjermani.

“Duke folur për këtë dy mësues të pasionuar dhe veprimtarë të devotshëm, autori flet për të gjithë mësuesit që kanë dhënë ndihmesën e tyre për ta mbajtur gjallë ndjenjën për atdheun, gjuhën e kulturën shqiptare”, tha ai.

Ndërsa, Besa Luzha, po ashtu recensente e librit, tha se Nuhi Gashi si ish-zyrtar në Ministrinë e Arsimit ka dhënë një kontribut të rëndësishme për organizimin e shkollës shqipe në diasporë.

“Po mos të ishte insistimi i fuqishëm i Nuhiut, misioni i organizimit të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë nuk do të mund të realizohej”, tha Luzha.

Luzha tha se meritë e autorit të monografisë “Mësuesia si mision” është edhe bashkëpunimi me Shqipërinë për organizimin e unifikuar të mësimit shqip në diasporë.

Ndërkaq, në dedikimin e tij për promovimin, Ymer Avdiu potencoi se monografia “Mësuesia si mision” është libri më i plotë dhe më gjithëpërfshirës që është shkruar për mësimin shqip në diasporë.

“Libri kapërcen edhe pikënisjen e saj, shëmbëlltyrën e dy mësuesve shembull, Rifat e Nexhmije Hamiti, dhe autori Gashi ka arritur të japë portretin e plotë të të gjithë mësuesve të diasporës”, ka potencuar Avdiu.

Kurse, Kemajl Çallaku, në emër të Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë ‘Naim Frashëri’ në Gjermani, tha në fajlën e tij se mësimi në mërgatë nuk është trajtuar në masën që duhet.

“Botimi i këtij libri është një kontribut i autorit Nuhi Gashi për mësimin dhe mësuesit e shkollës shqipe në mërgatë”, tha Çallaku.

Një fjalë rasti kanë mbajtur edhe personazhet e monografisë, bashkëshortët, Rifat dhe Nexhmije Hamiti.

Rifat Hamiti tha se mbishkrimi “Kosova Republikë” që e kishte hapur pasi kishe arritur në Dyseldorf të Gjermanisë e kishte frymëzuar për angazhime kombëtare.

Sipas tij, misioni i mësuesve në diasporë është ruajtja e gjuhës shqipe.

“Qëllimisht këtë promovim e filluam me këngën e ‘Poçarit’ pasi ka të bëjë me ruajtjen e gjuhës, sepse misioni i mësuesve në diasporë është ruajtja e gjuhës. Suksesi ynë në mësimdhënie është edhe kontribut i prindërve tanë në diasporë”, tha ai.

Në fund autori i librit “Mësuesia si mision”, Nuhi Gashi tha se monografia prek një segment shumë të ndjeshëm të qenësisë shqiptare, diasporën. Gashi tha se, faktet japin statistika të zymta pasi gjysma e shqiptarëve nuk jetojnë brenda hapësirës etnike shqiptare.

“Brenga ime i drejtohet kompetencës shtetërore të shqiptarëve e cila në raport me diasporën mund të quhet e munguar ose e qulltë. Uroj që shqiptarët të këndellen dhe t ‘i kthehen pjesës tjetër të kombit. Për mua mësimi shqip në diasporë ka rëndësi të veçantë”, tha ai.

Gashi ka bëtë të ditur se “Mësuesia si mision” është vëllimi i parë i serisë së botimeve “Shkollë dhe etnicitet” që ai ka në plan t’i sjell, të cilat rrahin probleme të qenësisë kulturore e arsimore të diasporës shqiptare, raporton Kallxo.

Exit mobile version