Përforcimi i marrëdhënieve ndëretnike në institucionet e sistemit të qeverisjes në nivelit lokal, është projekti i radhës të cilin e realizon shoqata jo qeveritare “Vlerat e Përbashkëta”.
Duke synuar një konsolidim më të thellë të demokracisë në Maqedoni dhe njëkohësisht përshpejtimin e procesit të pranimit të saj në BE, kjo shoqatë përmes projektit “Komisionet për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkësitë etnike”, synon promovimin e Komisioneve komunale për marrëdhëniet etnike, rritjen e ndikimit të tyre brenda komunave dhe bashkëpunimin apo forcimin e raporteve mes këtij Komisioni dhe qytetarët.
Në njoftimin për media, nga kjo organizatë joqeveritare bëjnë të ditur se ky projekti deri nga mesi i muajit mars do t’i përfshijë katër komuna në vendin tonë, gjegjësisht Komunën e Çairit dhe Butelit në Shkup, dhe Komunën e Tetovës dhe atë të Kumanovës.
“Gjatë ditës së mërkurë në hapësirat e Komunës së Çairit u realizua takimi me anëtarët e Komisionit për marrëdhënie ndër etnike i cili është themeluar me 6 shkurt të këtij viti. Pjesë e këtij Komisioni pesë anëtarësh, janë përfaqësues nga bashkësia etnike maqedonase, turke, shqiptare, boshnjake dhe rome. Në këtë mbledhje, temë diskutimi ishte realizimi i plotë i projektit tonë dhe vendosja e agjendës për takimet e radhës që pritet të mbahen brenda disa javëve”, tha, Razije Jonuzi, kryetare e shoqatës joqeveritare, “Vlerat e Përbashkëta” nga Shkupi.
Pas Çairit, takimi i radhës siç kanë informuar nga kjo shoqatë, do të jetë në Komunën e Kumanovës, dhe më pas në atë të Butelit dhe të Tetovës./koha/