Dikur vendi më i izoluar i Europës, Shqipëria është kthyer në një destinacion popullor turistik të preferuar për shumëkënd. Dhjetëra artikuj për “perlën e panjohur të Mesdheut” vijojnë të qarkullojnë në mediat ndërkombëtare, ndërsa nuk mungojnë panairet apo projektet për promovimin e turizmit. Por si çdo gjë, edhe kjo arritje po e ka një çmim.
Bukuritë natyrore dhe kosto e ulët nuk mjaftojnë… Që nami i mirë të dalë e kurioziteti të vazhdojë ka nevojë për promovim. Shumë gjëra të vogla janë bërë të mëdha nga mënyra e duhur e të reklamuarit. E njëjta po ndodh edhe me Shqipërinë, që po mirëpret të huaj si kurrë më parë.
Por si çdo gjë, edhe kjo arritje e pati një çmim. A2 CNN ka mësuar se më shumë se 62 milionë lekë apo rreth 625 mijë euro u shpenzuan në katër muajt e parë të vitit. Pjesa më e madhe e parave, 42 milionë lekë rezulton të kenë shkuar për pjesëmarrjen e vendit në panairin e turizmit në Berlin të Gjermanisë në fillim të marsit. Pjesa tjetër e parave kanë shkuar për financimin e 38 projekteve për zhvillimin e turizmit.
“Në programin “Zhvillimi i Turizmit” për 4 mujorin e vitit 2024, me fondet e akorduar është arritur qëllimi i programit, nëpërmjet së cilit synohet kthimi i Shqipërisë në një destinacion tërheqës turistik, cilësor dhe të qëndrueshëm, duke shfrytëzuar potencialet dhe burimet lokale, duke u fokusuar në atë që është unike në Shqipëri. Për vitin 2024, fondet janë realizuar në nivelin 14% kundrejt fondeve vjetore te planifikuara”, ka njoftuar Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Në raportin e monitorimit të buxhetit për 4-mujorin e parë të vitit Ministria e Turizmit dhe Mjedisit raporton se ka shpenzuar gjithashtu gati 39 milionë lekë për monitorimin e vijës bregdetare në janar-prill.
Promovimi përmes emisioneve televizive, platformave sociale apo fushatave të marketingut janë një praktikë e zakonshme e promovimit turistik të një vendi dhe sipas ekspertëve të turizmit, edhe një nga faktorët e suksesit turistik të Shqipërisë. Gati 190 milionë lekë apo rreth 1.8 milionë euro u shpenzuan vjet në 50 panaire, reportazhe apo artikuj ku u promovuan bukuritë natyrore të vendit.
Sipas njohësve të fushës së marketingut, ka rëndësi që këto përpjekje të vijojnë që “të mbajmë namin e mirë dhe që kurioziteti të vazhdojë”./A2 CNN