Telegrafi

Promovimi i shëndetit oral përmes poezive

Dr. Xheladin Sh. Ujkani, stomatolog
Klinika Dentare “Dent-In”
Ideator dhe udhëheqës i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”
044 411 866 / 049 411 866
Bulevardi ‘Bill Klinton’, nr. 42, Lakrishtë-Dardani, Prishtinë

Loja shpërblyese realizohet në kuadër të projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, mbështetet nga Klinika Dentare Dent-In dhe është e hapur për të gjithë fëmijët e nxënësit e institucioneve parashkollore e fillore në Kosovë.

“Janë të vegjël si inxhi, gojën tënde e kanë shtëpi, prandaj prej teje kërkojnë kujdes, t’i pastrosh në mbrëmje dhe në mëngjes, po qe se dhëmbi pastër nuk mbahet, pa pastë e brushë prishet e çahet”.
Janë këto vargjet e poezisë për dhëmbët që po dëgjohen në vazhdimësi në institucione parashkollore e fillore në Kosovë, aty ku përmes projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, fëmijë e nxënës po informohen mbi rëndësinë e pastrimit të drejtë dhe të rregullt të dhëmbëve, mbi rëndësinë e vizitave te dentisti, por edhe mbi ushqimet e shëndetshme dhe të dëmshme për dhëmbët.

Nga anketimet që janë bërë gjatë vizitës në shkollën fillore “Pjetër Bogdani” në Prishtinë në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, rezulton se nga 447 nxënës të pranishëm (nga klasa e I-rë, deri në klasën e V-të), të gjithë janë deklaruar se kanë/posedojnë brusha të dhëmbëve, dhe vetëm njëri prej tyre nuk i kishte pastruar dhëmbët në mëngjes, në ditën që është realizuar aktiviteti. Ndërsa nga vizita në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” në Druar të Vushtrrisë, nga 82 nxënës të pranishëm (nga klasa e I-rë, deri në klasën e V-të), 6 prej tyre janë deklaruar se nuk kanë/posedojnë brusha të dhëmbëve, dhe vetëm 8 prej tyre nuk i kishin pastruar dhëmbët në mëngjes, në ditën që është realizuar aktiviteti. Me këtë rast, të gjithë këtyre fëmijëve ju kemi dhënë brusha të dhëmbëve me pastë, ndërsa me disa prej nxënësve kemi demonstruar edhe pastrimin e drejtë të dhëmbëve përmes modeleve.
(Për mënyrën e drejtë dhe të rregullt të pastrimit të dhëmbëve, do të keni mundësinë të lexoni në shkrimin e radhës mbi promovimin e shëndetit oral te fëmijët dhe nxënësit përmes modeleve e maskotave të dhëmbëve).

Në pyetjen: “a keni qenë ndonjëherë tek dentisti”, nga 447 nxënës të pranishëm (nga klasa e I-rë, deri në klasën e V-të), në shkollën fillore “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, rezulton se vetëm 5 prej tyre nuk kanë qenë asnjëherë në vizitë. Ndërsa në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” në Druar të Vushtrrisë, nga 82 nxënës të pranishëm (nga klasa e I-rë, deri në klasën e V-të), 14 prej tyre nuk kanë qenë asnjëherë në vizitë te dentisti.

“Të dhemb dhëmbi mos u friko, te dentisti shpejt vrapo, e dentisti dorëlehtë, mjekon dhëmbin me të shpejtë, t’i lajmë dhëmbët ai na këshillon, e përherë na kontrollon”.
Edhe vargjet e poezisë për dhëmbët, edhe ato për dentistin, tashmë janë bërë përditshmëri e fëmijëve dhe nxënësve, të cilët përveç kohës sa zgjatë aktiviteti në Institucionet parashkollore e fillore, vazhdojnë të jenë të shoqëruara me to edhe gjatë kohës sa janë në shtëpi. Pra, edukimi për shëndetin oral, për shëndetin e gojës dhe të dhëmbëve si dhe për rëndësinë e vizitës te dentisti, është i vazhdueshëm. Ky është edhe një nga qëllimet e realizimit të projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”.

Gjatë aktiviteteve, përveç recitimeve në grup të këtyre vargjeve, disa prej fëmijëve e nxënësve, bëhen edhe pjesë aktive e garës për recitimet më të mira. Recitimet vendosen në Youtube në profilin e projektit “DentinGroup” dhe ato, si të tilla mund të vlerësohen nga nxënësit, nga miqtë dhe të afërmit e tyre, por edhe nga të interesuarit. Ata, përmes klikimeve bëhen pjesë e garës për 40 shpërblimet në nivel të Institucioneve parashkollore dhe fillore në Kosovë e që janë: dy vjet pasta dhe brusha të dhëmbëve si dhe shërbime stomatologjike falas nga Klinika Dentare Dent-In.

Ky projekt edukues, promovues i shëndetit oral që po realizohet nga Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi-KISCOMS, Qendra Kombëtare për Edukim Shëndetësor Oral- Dent-In, Shoqata Kosovare e Studentëve të Stomatologjisë- KADS, në bashkëpunim edhe me programin e KNSHPSH- Komitetit Ndërministror të ”Shkollave Promovuese të Shëndetit”, përfshin të gjitha Institucionet parashokollore, fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës.

Gjatë realizimit të aktiviteteve, përdoren metodat më të thjeshta edukuese e promovuese, më të pranueshme nga fëmijët dhe nxënësit, duke filluar nga broshurat, pllakatet, banerët, fotografitë, videot, e deri tek modelet e dhëmbëve, maskotat, vizatimet, poezitë, shfaqjet teatrale e raportet mediale, të shkruara e elektronike.

Në vazhdim të shkrimeve do të fokusohemi edhe në metodat tjera që po përdoren për promovimin dhe edukimin e gjeneratave të reja mbi rëndësinë e kujdesit për shëndetin oral.

Sponsor medial i projektit janë portali informativ telegrafi.com dhe radiotelevizioni 21. /Telegrafi/