Prokurorja e akuzuar për marrje të mitos, Vahide Badivuku, qau në seancën gjyqësore, ndërsa vendimi për të dhe dy të akuzuarit tjerë do të merret më 5 prill.
Para se gjykata të vendosë për marrjen e vendimit, prokurori dhe të akuzuarit dhanë fjalën përfundimtare.
Në këtë fjalë Vahide Badivuku tha se nuk janë vërtetuar pretendimet e prokurorisë.
“Prokurori gjatë tërë procedurës penale s’ka vërtetuar provat materiale se unë kam kryer veprat penale me të cilat ngarkohem”, tha Badivuku.
Ajo e përmendi edhe njëherë se huazoi para.
“Unë gjatë shqyrtimit e kam thënë një të vërtetë pasi që kam huazuar para dhe kjo është diçka private”, tha Badivuku.
Ajo e konsideroi veten viktimë të këtij procesi.
“kjo është një imponim duke iu dhënë privilegje Isak Smakollit e po ashtu Idriz Kelmendit se nuk do të shkojnë as edhe një ditë në burg, vetëm me thënë që paratë ia kemi dhënë Vahides, andaj i lutem prokurorit të tregojë se kush qëndron prapa krejt kësaj”, tha Badivuku.
Ajo deklaroi se aktakuza është ngritur vetëm me qëllimin për ta dënuar.
“E tërë aktakuza e ngritur ndaj meje nga Prokuroria Speciale është e ngritur në bazë të supozimeve, vetëm që unë të dënohem”, tha në fund të fjalës përfundimtare e akuzuara Vahide Badivuku.
Por prokurori i Prokurorisë Speciale Admir Shala kërkoi dënim për Vahide Badivukun
“Gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të pandehurit Vahide Badivuku, Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli janë kryes të veprave për të cilat akuzohen, andaj kërkoj që të njëjtit të dënohen sipas ligjit”, tha Shala në fjalën e tij përfundimtare.
Prokurori kërkoi edhe dënim plotësues për mosushtrim profesioni në afat prej 3 vjetësh për Vahide Badivukun dhe kthim të dobisë pasurore të fituar me vepër penale nga të akuzuarit.
Vahide Badivukut që akuzohet për marrje ryshfeti, keqpërdorim detyre dhe ushtrim ndikimi 5 mijë euro iu gjetën në kuletë dhe në frigoriferin e dorës nga Policia e Krimeve Ekonomike në momentin kur u arrestua.
Badivuku tha edhe sot në gjykatë se këto para i ka marrë hua nga i akuzuari tjetër i këtij procesi Idriz Kelmendi, ndërsa Kelmendi deklaroi se nuk është e vërtetë që i ka dhënë para hua prokurores.
“Këtë shumë është e vërtetë që e kam marrë hua nga Idrizi dhe ato m’i ka dhënë në një zarf të bardhë dhe nuk e di pse Idrizi e mohon këtë”, tha prokurorja Badivuku.
Badivuku se këto para i mori hua nga Idriz Kelmendi e tha edhe më 7 mars.
Edhe Kelmendi tha më 8 mars se nuk i dha të holla prokurores.
Pjesë e këtij gjykimi është edhe Isak Smakolli.
Në seancën e sotme përveç ballafaqimit të Badivukut me Kelmendin, u bë ehe ballafaqimi i Idriz Kelmendit me Isak Smakollin në lidhje me një marrëveshje mes tyre.
“Ne kemi pasur një marrëveshje me Idrizin që dy anëtarë të familjes Hasani t’i paguajnë 10 mijë euro për lirim nga paraburgimi dhe pas lirimit ata mi kanë dhanë këtë shumë dhe ia kam dorëzu idrizit në Hotel ‘Pallas’”, tha Smakolli.
Kur dëshmoi Artan Hasani më 10 shkurt nga familja që përmendi Smakolli tha se 10 mijë euro ia kishte dhënë Smakollit për lirimin e babait dhe vëllait të tij, ndërsa tregoi se prokurore në çështjen e hetimeve ndaj familjarëve të tij ishte Vahide Badivuku.
Smakolli më tutje në ballafaqim me Kelmendin deklaroi se Kelmendi i kishte thënë që t’u kërkojë para shtesë anëtarëve të familjes Hasani për lirimin e makinave të tyre.
“Idrizi më ka thënë që nëse dëshirojnë me i nxjerrë veturat duhet të paguajnë familja Hasani edhe 22 mijë euro dhe pas 3-4 ditësh 18 mijë euro ia kam dorëzu Idrizit, ndërsa 4 mijë euro i kam ndalë për veti sipas marrëveshjes dhe Idrizi mi ka premtuar edhe 1 mijë euro të cilat kurrë nuk nuk mi ka dhënë”, tha më tutje Smakolli.
LEXO PO ASHTU: Arrestohet prokurorja e krimeve të rënda, Vahide Badivuku
LEXO PO ASHTU: Urdhrin për arrestimin e prokurores Badivuku e dha prokurori special, Admir Shala
LEXO PO ASHTU: Badivuku e përfshin edhe shefin e vet, Shyqri Syla, në gjykimin për marrje ryshfeti
LEXO PO ASHTU: Avokati pretendon se prokurorja Badivuku e dërgoi aktakuzën pas arrestimit
Prokurorja Badivuku akuzohet se në gusht të vitit të kaluar përpiloi kërkesën për lirimin e këtyre veturave.
Idriz Kelmendi mohoi se ka pasur marrëveshje me Isak Smakollin për lirim të anëtarëve të familjes Hasani ose veturave të tyre.
“Unë asnjëherë nuk kam nejt me Isakun përveç në rastet kur ky ka qenë me ndokënd”, tha Kelmendi.
Por Smakolli këmbënguli se është takuar me Kelmendin.
“Është e vërtetë që kam nejt me Idrizin dhe nuk e di pse ky po e mohon këtë”, tha Smakolli.
Besnik Berisha, avokati i Idriz Kelmendit mohoi se klienti i tij njihej me të akuzuarin tjetër Isak Smakollin.
“Historiku i kësaj procedure ka vërtetuar se Isak Smakolli se paku dy herë ka dhënë deklaratë në polici e një herë në prokurori dhe në pyetjen se si e njeh Idriz Kelmendin i njëjti kishte deklaruar se e njoh vetëm si pronar te hotelit”, tha Berisha.
Ai deklaroi se pret që Kelmendi të lirohet.
“Ne sot presim një zbatim të drejtë të ligjit dhe ashtu siç kemi deklaruar në seancën për caktimin e masës së paraburgimit, Idriz Kelmendi është i pafajshëm”, tha avokati Besnik Berisha.
Idriz Kelmendi tha se nuk ishte pjesë e kësaj loje, duke aluduar në takimet dhe marrëveshjen me Isak Smakollin për lirimin e anëtarëve të familjes Hasani dhe makinave të tyre.
“E mbështes në tërësi fjalën e mbrojtësit tim dhe te gjitha ato çka i tha avokati imë i akceptoj si të mijat dhe deklaroj se as edhe njëherë s’kam qenë pjesëtar i kësaj loje,” deklaroi i akuzuari Kelmendi.
Xhafer Maliqi, avokat i Isak Smakollit duke u bazuar te pranimi i fajësisë nga i mbrojturi i tij, kërklkoi që Smakollit t’i shqiptohet dënim me kusht.
Edhe Isak Smakolli e mbështeti fjalën e avokatit të tij. /KALLXO.com/