Site icon Telegrafi

Prokurorja Pula: Do të reagohet menjëherë ndaj atyre që veprojnë kundër të drejtës së votimit

Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve, prokurorja Laura Pula, sot ka marrë pjesë në thyezën e organizuar në Gjakovë dhe Pejë nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me Demokracia në Veprim (DnV) “Drejtësi zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit”.

Prokurorja Pula ka thënë Prokurori i Shtetit ka ndërtuar një sistem dhe praktike të mirë, e cila do te avancohet edhe me shumë në zgjedhjet e 11 qershorit, për të krijuar një ambient të sigurt, ku qytetarët do të ndihen të lirë për të zhvilluar procesin e zgjedhjeve.

Ajo tha se me qëllim të ngritjes se bashkëpunimit ndërinstitucional, Prokurori i Shtetit ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me KQZ-në, PZAP-in, Policin e Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku janë krijuar procedura standarde të veprimit me qëllim të specifikimit të veprimeve të përbashkëta në të gjitha rastet që ndodhin gjatë procesit zgjedhor.

Koordinatorja Pula po ashtu ka thënë se për zgjedhjet e 11 qershorit janë angazhuar 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i stafit mbështetës në tërë Republikën e Kosovës dhe së bashku me hetuesit nga Policia e Kosovës do të veprojnë menjëherë në ndalimin e personave të cilët do të veprojnë kundër të drejtës së votimit.

Sipas prokurores Pula, Kodi i Ri Penal parasheh 11 vepra penale kundër të drejtës se votimit, të cilat konsiderohen krime të renda dhe parashihen dënime të ashpra, andaj për të gjithë shkelësit e mundshëm do të merren të gjitha masat e parapara ligjore.

Pula ka ftuar që çdo parregullsi të raportohet tek vëzhguesit, komisionerët, stafi përcjellës i KQZ-së, Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, nga se si njësi mobile do të reagojnë menjëherë, posa të dyshohet së është keqpërdorë e drejta e votës.​

Exit mobile version