Prokuroria ka mungesë kuadri. Krimin aktivisht e ndjekin 162 prokurorë, ndërsa pas sistemimit duhet të punësohen të paktën edhe 100 prokurorë. Për krim të organizuar janë angazhuar 14 prokurorë. Por, në tre qytete të vendit nuk ka asnjë prokuror të vetëm. Ato janë Kriva Pallanka, Sveti Nikolla dhe Dellçeva. Në këto prokurori dërgohen prokurorët e qyteteve të tjera. Problem ka edhe në prokuroritë në Tetovë dhe Kumanovë. Në prokurorinë e Tetovës vetëm dy prokurorë ndjekin krimin, ndërsa duhet të angazhohen dhjetë, ndërsa në rajonin e Kumanovës janë 10 prokurorë në vend të 14, disa prej të cilëve dërgohen edhe në qytete të tjera për shkak të mungesës së kuadrit. Në një intervistë për Alsat, kreu i Prokurorisë Publike, Ljubomir Joveski, fajësoi Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë.
“Me përpjekje të jashtëzakonshme mund të kryhet puna e prokurorisë publike. Por të gjitha këto çështje nuk varen nga Prokuroria Publike. Siç dihet, në Prokurori mund të hyhet edhe me Akademi të mbaruar për gjyqtarë dhe prokurorë publikë dhe për shkak se Akademia nuk regjistronte në vazhdimësi studentë të rinj, u krijua kjo situatë. Vetëm të kujtoj se tani me ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, pas 30 qershorit do të dalin në pension edhe 7-8 prokurorë publikë, që do të thotë se ky numër i vogël do të reduktohet edhe më shumë”, tha Ljubomir Joveski, Kryeprokuror
Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit nga viti 2021, lind një tjetër problem. Mesatarja evropiane kërkon 11,7 prokurorë për 100 000 banorë, që do të thotë se sipas standardeve evropiane në vend duhet të ketë 214 prokurorë publik. Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të vendosë nëse do të ndiqet praktika evropiane apo sistematizimi për punësimin e 262 prokurorëve.
Sipas mesatares evropiane: 214 prokurorë publikë
Sipas sistemimit: 262 prokurorë publik
Të punësuar: 169 prokurorë publik
Funksion i “ngrirë”: 7 prokurorë publik
Më shumë prokurorë mungojnë në Shkup. Aktualisht janë të angazhuar 49, ndërsa krimin duhet ta ndjekin 67 prokurorë, përfshirë edhe kreun e prokurorisë së Shkupit. Prokuroritë publike në vend gjithashtu kanë mungesë edhe të nëpunësve në prokuroritë publike të cilët duhet të ofrojnë logjistikë në hetimet e prokurorëve. Numri i këtyre nëpunësve është tre herë më i vogël dhe ka 398 nëpunës në prokuroritë publike. Por edhe numri i tyre është në rënie sepse vendosin të avancojnë në karrierë dhe të regjistrohen në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë. Mungesa e prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesionistë shkakton probleme – gjatë proceseve hetimore të prokurorisë. Procedimi zgjat më shumë, gjë që duhet të kapërcehet nëse prokuroria përfundimisht kompletohet. /Alsat/