Prokuroria do t’i intervistojë dy mjekët ligjorë të angazhuar nga familja Dehari për ekspertizën e Astrit Deharit. Po ashtu do të intervistohet edhe Avokati Tomë Gashi, i cili, duke u bazuar në këtë raport, tha se Astrit Dehari është vrarë në burg.
Kryeprokurori Lumezi ka thënë se prokurori i lëndës tashmë është ngarkuar për t’i dëgjuar mjekët Besim Ymaj dhe Besim Latifaj si dhe Tomë Gashin.
Dy mjekët ligjorë, të cilët, me kërkesë të familjes, kanë marrë pjesë në obduksionin e Astrit Deharit do të merren në pyetje nga Prokuroria. Po ashtu Prokuroria do ta intervistojë edhe avokatin Tomë Gashi, i cili duke u bazuar në raportin e mjekëve ka thënë se Dehari është vrarë në burg, për dallim prej Prokurorisë së Shteti e cila ka konstatuar si i ndjeri ka kryer vetëvrasje.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se Prokuroria është duke mbledhur informacione lidhur me ekspertizën e pavarur të dy mjekëve ligjorë Besim Ymaj dhe Besim Latifaj të angazhuar nga familja Dehari lidhur me obduksionin e Astrit Deharit.
“…Po ne e kemi marrë kërkesën nga ana e Ministres Hoxha që me mbledhë informacione lidhur me ekspertizën e mjekëve ligjorë që kanë qenë të angazhuar nga ana e familjes. Jemi duke mbledhur informacione lidhur me ekspertizën e këtyre mjekëve ligjorë nga ana e familjes”, ka thënë Lumezi.
E kërkesa e Ministres për Prokurorinë ishte konsideruar si ndërhyrje e politikës në Drejtësi kur Dhurata Hoxhaj e kishte shpalosur atë gjatë një seance në Kuvend.
Tutje, Lumezi, ai ka shpjeguar se ka kërkuar nga ana e prokurorit të lëndës që të merret me këtë rast.
“Ne kemi kërkuar nga prokurori i lëndës që t’i dëgjoj këta mjekët në cilësi të ekspertëve dhe të deklarohen lidhur me ato konstatimet e tyre në atë ekspertizë”, ka thënë kryeprokurori i shtetit.
E ndërkohë që prokurori i cili është duke u marrë me këtë rast, Metush Biraj, kontaktuar nga Express, ka thënë se dy mjekët Besim Ymaj e Besim Latifaj si dhe avokati, Tomë Gashi pas festës së Vitit të Ri do të ftohen për intervistim.
“Do t’i ftojmë për intervistim menjëherë pas Vitit të Ri”, ka thënë Prokurori i rastit.
Raporti i mjekëve të caktuar nga familja Dehari është bërë publik më 16 dhjetor në një konferencë për media, të cilin e ka prezantuar avokati i familjes Tomë Gashi.
“Ata [mjekët e pavarur] kanë konsideruar se kemi të bëjmë me lëndime në krahun e majtë dhe në pjesë të tjera të trupit që kanë qenë si pasojë e lëndimeve nga mjetet mekanike vetëmbrojtëse. Kjo shpie në përfundim se ka qenë vrasje dhe jo vetëvrasje”, tha Gashi.
Ndërkohë që sipas kryeprokurorit të prokurorisë themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, në bazë të raportit të mjekëve të Mjekësisë Ligjore në Kosovë, Asterit Dehari ka kryer vetëvrasje në qendrën e paraburgimit në Prizren.
Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq në dhomën e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të këtij viti.
Ai ishte njëri nga të dyshuarit për sulm me granatë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në fillim të gushtit të këtij viti./Express/