Prokuroria e San Isidro ka pohuar se Diego Armando Maradona nuk ka marrë trajtimin e duhur.
Legjenda e futbollit ndërroi jetë nga një arrest kardiak në moshën 60-vjeçare më 25 nëntor.
Derisa avokatët po përpiqen të kuptojnë se kush ka të drejtë të përfitojë nga pasuria e tij, një hetim po vazhdon për të kuptuar nëse mjekët që kuruan Maradonan, kanë ndonjë përgjegjësi në vdekjen e tij.
Rezultatet e para të hetimeve janë bërë publike sot, raporton La Repubblica.
“Askush nuk u kujdes për pacientin, ne jemi duke folur këtu për një rast të neglizhencës serioze,” pretendoi prokurori i San Isidro.
“Pacienti nuk u monitorua, nuk ishte nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore siç do të kërkonte gjendja e tij. Ai nuk mori asnjë ilaç për sëmundjen e tij të zemrës”.
“Pa asnjë dyshim, mjeku i tij ishte Dr. Leopoldo Luque. Ai koordinoi një kujdes kaq të mangët në shtëpi, i cili ishte totalisht i paorganizuar. Pacienti i besoi atij verbërisht”.
“Luque përshkruhet si një person që vuri re kampionin dhe donte të hynte në histori si mjeku që shpëtoi Maradonan”, ka shtuar më tej prokurori i rastit.
Sipas La Repubblica, hetuesit besojnë se Luque ishte pjesë e ekipit që kreu operacionin e trurit të Maradonës 20 ditë para vdekjes së tij.
Maradona u përcaktua si një pacient i vështirë, por Prokurori këmbëngul se ai duhej të trajtohej sipas praktikës, madje edhe kundër vullnetit të tij. /Telegrafi/