Telegrafi

Prokuroria Themelore në Prizren, aktakuzë kundër B.H për përvetësim në detyrë

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prizren, kundër të pandehurit B.H. për veprën penale: Përvetësimi në detyrë nga neni 425 paragrafit 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Sipas aktakuzës i pandehuri nga muaji tetor i vitit 2015 e deri në muajin shkurt 2016, në Dragash, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar pasurinë, e cila i është besuar për shkak të detyrës dhe pozitës së tij zyrtare.

I njëjti duke ushtruar detyrën e arkëtarit në Njësinë punuese të “Hidroregjionit Jugor” në Dragash, kohë pas kohe ka marrë dhe ka përvetësuar nga arka shuma të caktuara parash, të cilat kanë arritur shumën totale prej 3,306.29 € (tremijetreqindegjashtë euro e njëzetenëntë cent)”, thuhet në njoftimin për media.

Andaj me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën e lartcekur penale.

Prokurori i rastit ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit./Telegrafi/