Telegrafi

Prokuroria Themelore në Prishtinë për zhdukjen e Bedri Rexhepit: Jemi duke punuar me seriozitetin maksimal

Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një komunikate për medie ka deklaruar se janë duke punuar  me seriozitetin maksimal dhe me të gjitha kapacitetet që disponon në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës në rastin e zhdukjes së biznesmenit Bedri Rexhepi.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit të drejtë e të saktë, njofton edhe njëherë opinionin publik lidhur me rastin e zhdukjes së B.R., duke ju siguruar se në këtë çështje penale, Prokurori i Shtetit është duke punuar me seriozitetin maksimal dhe me të gjitha kapacitetet që disponon në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Lexo po ashtu Një muaj paraburgim për personin që u prezantua si agjent i CIA-s duke thënë se ka informata për biznesmenin e zhdukur Bedri Rexhepi

Tutje, theksojnë ata se “Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast, me urdhër të njëjtit është ndaluar një (1) person i dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi” dhe një (1) person i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Shantazhi”, “Prezantimi i rremë si person zyrtar “, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Manipulimi me prova”, të parapara sipas KPRK-së, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit”.

“Deri më tani, përkundër bashkëpunimit edhe me strukturat e sigurisë së Kosovës, si KFOR-i, FSK-ja, etj, nuk kemi arritur ta identifikojmë vendndodhjen e tani të dëmtuarit B.R”, thuhet në komunikatë.

Lexo po ashtu Dy muaj nga zhdukja e Bedri Rexhepit, familja ofron 20 mijë euro për ata që japin informacione

Po ashtu, në komunikatë thuhet se “Ne e kuptojmë shqetësimin e familjes së të dëmtuarit dhe të shoqërisë në përgjithësi për faktin se deri më tani nuk është ndriçuar në tersi kjo çështje penale, mirëpo ju njoftojmë se prokuroria është duke e trajtuar me seriozitetin më të lartë këtë rast”.

Ndryshe, nga data 8 prill Bedri Rexhepi nga Lipjani është zhdukur dhe askush nuk di për fatin e tij.

Familja e tij, tash po kërkon ndihmën e qytetarëve për ta gjetur Bedriun, madje për këtë po ofron edhe para.

Ai u zhduk në rrethana misterioze mbrëmjen e 8 prillit, ndërkaq lidhur me zhdukjen e tij është arrestuar Jeton Vllasaliu, i cili po qëndron në paraburgim nën dyshimet se ka gisht në rrëmbimin e Bedriut. /Telegrafi/