Telegrafi

Prokuroria Themelore jep detaje për rastin e akuzave për ngacmim seksual ndaj dentistit të estradës, Fehim Haliti

Ditë më parë është bërë kryetemë e mediave një çështje lidhur me të ashtuquajturin “dentist i estradës”, Fehim Haliti.

Ai është akuzuar nga një mërgimtare për ngacmim seksual, me çka edhe kishte ngritur kallëzim penal kundrejt dentistit.

Lidhur me rastin në media dhe opinionin publik pati reagime të shumta, ku një numër i madh yjesh nga estrada i dolën në mbështetje dentistit, duke e quajtur gjithçka një shpifje.

Foto: Instagram

Ndërkohë, për të shpjeguar në mënyrë edhe më të qartë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka sqaruar rrjedhojën e rastit, që nga pranimi i kallëzimit penal e deri te hedhja poshtë e tij nga prokurori i shtetit.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit të drejtë dhe korrekt të opinionit publik përmes këtij njoftimi bën të ditur se më 25.05.2021, ka pranuar kallëzimin penal kundër të dyshuarit F.H., pronar i një ordinance stomatologjike në Prishtinë, në drejtim të veprave penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “Mosdhënia e ndihmës mjekësore” dhe “Ngacmimi seksual”, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Foto: Instagram

Tutje, në sqarim bëhet e ditur se prokurori i shtetit e ka hedhur poshtë këtë kallëzim penal në mungesë të provave.

“Prokurori i çështjes, pas shqyrtimit dhe analizimit të hollësishëm të kallëzimit penal, shkresave dhe provave të bashkangjitura në të nga e dëmtuara, si dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore për vërtetimin e saktë dhe të plotë të fakteve të pretenduara nga e dëmtuara, ka konstatuar se në rastin konkret nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari F.H., ka kryer veprat penale të lartcekura. Andaj, më 12.10.2021, prokurori i shtetit ka marrë aktvendim për hudhjen e këtij kallëzimi penal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/