Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dhënë 30 ditë paraburgim të pandehurit E.N për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, saktësisht administratorit të grupit “Albkings”, i dyshuar për shpërndarjen dhe publikimin e fotografive dhe videove intime.
Arrestimi i tij është bërë të mërkurën nga Policia e Kosovës, gjersa i pandehuri ka dalë sot para gjykatës.
Pasi i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka bërë apel të gjithë të dëmtuarave në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të mos hezitojnë e të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit.
Kjo sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës pasi synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i krimit, sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe sjellja e kryerësve të veprave penale para drejtësisë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të mos hezitojnë e të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit, pasi synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i krimit, sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe sjellja e kryerësve të veprave penale para drejtësisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke vazhduar me trajtimin e këtij rasti”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/