Site icon Telegrafi

Prokuroria Themelore dhe Policia rajonale e Prizrenit diskutojnë për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe sfidat  

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka takuar të mërkurën drejtorin e Policisë Rajonale të Prizrenit, Faton Alija, bashkë me komandantët e stacioneve policore për rajonin e Prizrenit, si dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me ngritjen e bashkëpunimit në mes Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë, sikurse edhe për problemet dhe vështirësitë me të cilat përballen gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, raporton Telegrafi.

“U.D. Kryeprokurori Kryeziu, kërkoi koordinim dhe ndërmarrje të veprimeve të përbashkëta sa i përket luftimit të kriminalitetit në përgjithësi, dhe në fokus të veçantë të jetë trajtimi i rasteve të dhunës në familje, korrupsionit, krimet kundër ambientit, fajdeja etj., me qëllim të parandalimit dhe ofrimit të sigurisë për qytetarët e vendit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Drejtori Alija, sipas njoftimit, ka njoftuar Kryeziun, rreth situatës së sigurisë në rajonin e Prizrenit, si dhe për veprimet policore që po ndërmerren për të ofruar rend dhe siguri në këtë rajon.

Të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit. /Telegrafi/

Exit mobile version