Prokuroria Themelore informon se do të kyçet në ndjekjen penale të personave të cilët eventualisht e kanë ndihmuar njërin nga sulmuesit e Ziadin Selës, Nikolla Vojminovskin, të arratiset nga arresti shtëpiak.
Nga Prokuroria thonë se masa e arrestit shtëpiak i është zëvendësuar me atë të paraburgimit me kërkesë të avokatëve të tij, të cilët si shkak kryesor kanë përmendur gjendjen e përkeqësuar shëndetësore. Nga Prokuroria Themelore theksojnë se dëshmia e tij në një proces tjetër gjyqësor, nuk lidhet me zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Nëse MPB, e cila është organ kompetent për kontrolle dhe shqyrtim të masës së arrestit shtëpiak, siguron prova relevante të cilat dëshmojnë se është kryer vepër penale gjatë arratisjes së të dënuarit, Prokuroria do të kyçet në ndjekje penale kundër personave të cilët eventualisht e kanë ndihmuar të arratiset të dënuarin”, thonë nga Prokuroria.
Ndryshe, për rastin e sulmit ndaj deputetit Ziadin Sela në ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, shtatë persona u dënuan me 82 vite burg./Telegrafi/