Telegrafi

Prokuroria Speciale rihap rastin e Vasfije Krasniqit

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, ka treguar se ka marrë vendim që të rihapen hetimet për rastin e dhunimit të Vasfije Krasniqit-Goodman nga forcat serbe gjatë luftës.

Hajdari tha se rihapjen e rastit e ka bërë mbi bazën e përgjegjësive komanduese.

“Rasti i Vasfije Krasniqit është rihapur. Unë kam vendos ta rihapë rastin e saj mirëpo jo kundër kryesve në fjalë sepse ndaj tyre procedura ka përfunduar me aktgjykim të formës së prerë, nuk kam mundësi, nuk kam asnjë bazë ligjore, asnjë mundësi ligjore, me paraqit mjet të jashtëzakonshëm”.

“Unë kam vendos ta rihapë rastin mbi bazën e përgjegjësive komanduese, sikurse që do të veproj dhe jam duke vepruar edhe në rastet e tjera të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka thënë ajo në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Hajdari ka shtuar se njëra ndër arsyet e rihapjes së rastit të Vasfijes është sepse dhunimi është përdorur si armë nga armiku.

“Po e bëj këtë sepse e kanë kry dhunimin gjatë luftës, ka qenë mjet i luftës, ka qenë një prej metodave të luftës. Nuk kanë ndodhur këto dhunime në Kosovë rastësisht, nuk janë incidente të izoluara. Janë, siç e thashë, armë të cilën armiku e ka përdorur gjatë luftës”.

Prokurorja Drita Hajdari tha se e ka bërë kërkesën e saj në Polici.

“Kam lëshuar një kërkesë, një autorizim Policisë, Njësisë së Hetimit për Krimet e Luftës, ku i kam përcaktuar taksativisht detyrat dhe veprimet që ata duhet t’i ndërmarrin në këtë rast, mes të tjerash prapë do të intervistohen dëshmitarët okularë, ndoshta edhe Vasfija në të ardhmen”.

Ajo po ashtu ka thënë se këtë vendim e ka marrë me rastin e dëgjimit të rrëfimit të saj në media, të cilën e ka ftuar edhe personalisht në zyrën e saj./Kallxo.com/