Prokuroria Publike Speciale ka formuar të paktën edhe 30 lëndë të reja. Alsat M mëson se të gjitha procedurat e reja para hetimore janë produkt i procesit të përgjimeve nga bombat e pa publikuara, proces që sipas këtij burimi është intensifikuar javët e fundit, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Pjesa më e madhe e lëndëve, jozyrtarisht mësohet se janë për dyshime të keqpërdorimeve financiare. Nga Prokuroria speciale publike kanë shprehur përmbajtje, por kanë konfirmuar një pjesë të informacionit.
“Ajo që mund të themi tani është se vërtetë janë hapur numër më i madh i procedurave të reja para hetimore. Në përgjithësi, është e vërtetë se bëhet fjalë për lëndë që lidhen me çështjet financiare, por më shumë detaje nuk mund të shpalos para fillimit të javës së ardhshme”, kanë thënë nga prokuroria Speciale publike.
Nga PSP nuk kanë dashur të komentojnë mbi informacionet se në pjesën më të madhe të lëndëve janë përfshirë zyrtarë të qeverisë. Ata nuk kanë konfirmuar e as mohuar informacionet që tashmë janë publike, se disa procedura mund të jenë lidhur me mediat.
Jozyrtarisht cak janë disa persona që punojnë në pozita udhëheqëse në media të ndryshme. Qëndrimin zyrtar PSP do ta publikojë me raportin e ardhshëm gjashtëmujor. Por burime jozyrtare të Alsat M thonë se mund të priten procedura të reja hetuese nga lëndët që ishin hapur nga “bombat” e shpallura publikisht./Telegrafi/