Një vit, shtatë procedura hetimore dhe 20 parahetimore, mbi 80 persona të përfshirë. Rastet që janë punuar deri tani nga Prokuroria Speciale janë “Titaniku”, “Tortura”, “Fortesa”, “Transportuesi”, “TNT”, “Puçi” dhe “Spiuni”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Prokurorisë Speciale i kanë ngelur edhe 6 muaj deri kur mund të ngrejë akuza të reja. Në listë janë lideri i OBRM-PDUKM-së Nikolla Gruevski, ish ministrat Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, ish njeriu i parë i DSK-së Sasho Mijallkov, kryetari i Pustecit Edmond Temelko, kryetari i Gazi Babës, Toni Trajkovski dhe i Manastirit Vlladimir Taleski. Avokatja Suzana Joshevska Anastasovska e cila është njëra nga bashkëpunëtoret e jashtme të Prokurorisë Speciale, thotë se PSP-ja i ka ngritur standardet për atë se si duhet funksionojë organi prokurorial në Maqedoni dhe prandaj procedurat hetimore shkojnë ngadalë.
“Bëhet fjalë për procedura që qytetarëve mund t’u duket se shkojnë ngadalë dhe nuk rrjedhin, por në prapaskenë bëhet një punë e madhe, sepse vetëm kështu mund të trajtohen këto raste. Çështja është se qytetarët nuk janë mësuar me këtë mënyrë të të punuarit, andaj duket se diçka nuk është në rregull”, u shpreh për TV21 Suzana Joshevska – Anastasovak, Avokate.
Joshevska shton se puna e ngadaltë e PSP u detyrohet obstruksioneve të ndryshme, mos miratimit të ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe vendimit për abolim, por thotë se këto probleme do të tejkalohen dhe shumë shpejt qytetarët do të shohin rezultate konkrete që do të nënkuptojnë ngritjen e demokracisë në vend. Kryetari i Këshillit të prokurorëve publikë të Maqedonisë Petar Anevski sot nuk deshi të komentojë për temën “Prokuroria Speciale pas një viti” ndërsa tha se duhet ta presë raportin e dytë, të cilin Katica Janeva do ta dorëzojë të enjten, e më pas do ta komentojë.
Përndryshe, raporti i parë i Janevës i datës 15 mars shkaktoi polemika ndërmjet PSP-së dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë. Këshilli insistonte që Janeva personalisht të arsyetojë pjesë të raportit, me ç‘rast seancat për shqyrtimin e raportit u shtynë disa herë. Të njëjtën gjë e kërkoi edhe grupi parlamentar i OBRM-PDUKM-së në Kuvend. Kjo parti atëherë e akuzoi Janevën se me mos ardhjen e saj, nuk i respekton institucionet dhe vihet mbi kuvendin dhe kushtetutën. Pritet që Prokuroria Speciale të vazhdojë me punë në hapësira të reja, në objektin e ish Agjencisë për të rinj dhe sport ku do të kenë në dispozicion 25 zyra, dhomë me server ku do të ruhen materiale të arkivuara, dhomë për dëgjim etj./Telegrafi/