Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj dy ish-ministrave, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala.
Në njoftimin e Prokurorisë, bëhet e ditur se dy ish-ministrat e Tregtisë dhe Industrisë ngarkohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Shala tha se nuk është në dijeni se është ngritur aktakuzë ndaj tij dhe se informacione nuk ka as avokati i tij, Besnik Berisha.
“Unë as nuk jam i informuar, as nuk di asnjë gjë më shumë përpos qasaj që e kam lexu. Tash që po e lexoj në media. E për të njëjtën nuk është i informuar as avokati im, zotëri Besnik Berisha. As ai as unë nuk kemi kurrfarë njohurie”, tha Shala, për “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, i pyetur nëse ishte ftuar ndonjëherë nga Prokuroria për t’u intervistuar për këtë rast, ai tha sërish se nuk ka informacion që i është ngritur aktakuzë.
“Ti më pyete për këtë lajm- për këtë aktakuzë, unë nuk e di, nuk jam i informum për asnjë aktakuzë zyrtarisht, ju e dini procedurën qysh duhet me u njoftu dikush që është i akuzum, ose drejtpërdrejt ose përmes avokatit të tij”, tha Shala.
Edhe ish-ministri Krasniqi, tha se nuk është njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj tij dhe se nuk e di për çfarë vepre ngarkohet.
“Jo, s’jam i informum, s’kam kurrfarë informacioni”, tha Krasniqi.
Ndërsa, kur u pyet nëse ishte ftuar ndonjëherë për t’u intervistuar nga Prokuroria, ai tha se “kemi pas në të kalumen. Mirëpo, janë katër vite në pyetje”.