Telegrafi

Prokuroria Speciale jep detaje për në rastin “Thirrjet”: Të përfshirë 24 persona, sekuestrohen rreth 2 milionë euro dhe 9 vetura

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka shënjestuar një rast ku janë të përfshirë 24 persona, ku në këtë rast janë ngrirë 700 mijë euro dhe janë sekuestruar afro 2 milionë të tjera e 9 vetura.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka mbajtur sot takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e Krimeve të Rënda ku kanë shënjestruar një (1) rast të ri të koduar si “Thirrjet”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale njofton se në rastin e shënjestruar si “Thirrjet”, ku janë të përfshirë njëzetekatër  (24) persona për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 lidhur me veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

“Gjithashtu, nga shënjestrimi i këtij rasti janë ngrirë rreth shtatëqindmijë (700.000) euro, si dhe janë sekuestruar njëmilioneshtatëqindmijë (1.700.000) euro kesh dhe nëntë (9) vetura”, thuhet tutje në komunikatë. /Telegrafi/