Naser Hafizi, udhëheqësi i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, është arrestuar sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
“Po, mund ta konfirmoj arrestimin e tij. Tani për tani nuk kam ndonjë informacion tjetër”, tha ajo.
Arrestimi i Hafizit vjen dy ditë pas një aksioni të zhvilluar nga Prokuroria Speciale në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Gjatë këtij aksioni, u arrestua zv/sekretari i Ministrisë, Izedin Bytyqi, ndërsa Hafizi nuk u gjet në banesën e tij.
Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, Bytyqi dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje.
” Ndërkohë, Hafizi dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar,” “Shpëlarje e parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo detyrimeve financiare.”