Telegrafi

Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për drejtorin e KEK-ut, dyshohet për tri vepra penale

Prokuroria Speciale ka njoftuar të enjten se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Për të njëjtin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikt i interesit”.

Lexo po ashtu Drejtorit të arrestuar të KEK-ut i përkeqësohet gjendja shëndetësore, i refuzohet dërgimi në QKUK

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, ndaj të pandehurit me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i  njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’  nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK,  ‘’Ushtrimi i ndikimit’’  nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media.

Lexo po ashtu Arrestohet Nagip Krasniqi - kryeshef ekzekutiv i KEK-ut

Mesditën e së mërkurës Policia e Kosovës në bashkëpunim me organet tjera shtetërore filloi një aksion të gjerë duke bastisur zyrat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe dy banesa private që rezultuan të jenë në pronësi të Nagip Krasniqit – drejtor i KEK-ut.

Pas aksionit, Prokuroria Speciale njoftoi se është arrestuar Nagip Krasniqi nën dyshimet për tri veprat penale të lartpërmendura. /Telegrafi/