Site icon Telegrafi

Prokuroria Speciale kërkon ligj të ri për dënimin e institucioneve që nuk bashkëpunojnë me të

“Agjencia për Kadastër, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, gjegjësisht departamenti për mbështetje tekniko-operative, Njësia për mbrojtjen e dëshmitarëve e MPB-së, Komuna e Manastirit, Ministri të caktuara, Gjykata Administrative, Prokuroria Publike e Shkupit dhe Prokuroria për ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, këto institucione refuzojnë bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale, njoftojnë sot nga Prokuroria, duke u ankuar se institucionet në fjalë refuzojnë të veprojnë sipas kërkesave të Prokurorisë Speciale, njofton Portalb.

“Duke e pasur parasysh këtë gjendje dhe obstruksionet në punën e kësaj prokurorie, Prokuroria Speciale, propozon ndryshimin e Kodit Penal dhe futjen e veprës së re penale – pengim të drejtësisë, e cila do të jetë në krye të veprave penale kundër gjyqësorit”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Speciale.

Nga Prokuroria Speciale njoftojnë se janë nisur 15 procedura parahetimore, të cilat janë në lidhje me financimin e mediumeve, keqpërdorimin e procedurave për prokurim, larje parash, korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, hetime financiare, keqpërdorim të procedurave për punë ndërtimore etj.

Përndryshe, Prokuroria Speciale sot ka kërkuar shtyrjen e seancës kryesore të rastit “Puç“ në të cilin njëri ndër të akuzuarit është lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, për shkak se Gjykata ka refuzuar t’ia dorëzojë kopjen me dokumente dhe dëshmi elektronike me arsyetimin se bëhet fjalë për informata të klasifikuara.

Nga Prokuroria Speciale njoftojnë se përveç rastit “Puç”, Gjykata Themelore Shkupi 1, e pengon punën e kësaj Prokurorie edhe në të gjitha lëndët tjera për të cilat ka kërkuar që t’u dorëzohen materialet për ekspertizë. /Telegrafi/

Exit mobile version