Telegrafi

Prokuroria Speciale: Ish krerët e UÇK-së në Llapushnik detyruan të ndaluarit të hapin vetë varret

Në Hagë është duke vazhduar gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Për disa orë me radhë, prokurorët kanë paraqitur disa prova lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Prokurori i ZPS-së, James Pace tha se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë bërë keqtrajtime të shumta në disa zona në Kosovë.

“Kanë bërë keqtrajtime fizike në Drenoc, Llapashticë. Viktimat u detyruan të hapin vetë varret e tyre. Të ndaluarit u vendosën në dhoma të mbuluara me gjak. Keqtrajtim të pamëshirshëm, ata që mbetën gjallë vuajnë edhe sot. Në Llapashnik, kanë bërë dëmtime të organeve trupore”, u shpreh ai.

Pace shtoi tutje se dëshmitarët kanë pritur 25 vite që të flasin për këto krime, prandaj ata që bënë këto vepra duhet të marrin dënimin meritor.

Seanca është duke vazhduar. /Telegrafi/