Site icon Telegrafi

‘Prokuroria shqiptare nuk do t’i hetojë zhdukjet e kohës së komunizmit’

Prokuroria e Shqipërisë nuk do të ketë një rol në hetimin e krimeve të komunizmit.

Kjo edhe pas kritikave të Progres Raportit të Komisionit Evropian të publikuar javën e kaluar, ku shkruhej se, “Zyrat e Prokurorive kanë dështuar të kryejnë ndonjë hetim ex officio mbi personat e zhdukur gjatë kohës së komunizmit”.

Por prokurori, Sokol Stojani, në një intervistë për Rrjetin Ballkanik të Investigimit (BIRN) ka theksuar se, ai nuk sheh asnjë arsye për të hetuar rastet e mijëra shqiptarëve të zhdukur nën regjimin komunist.

Kjo pasi sipas tij “ato nuk ishin zhdukje të detyruara”.

Në intervistën e tij, Stojani është çështja e vendndodhjes së të ekzekutuarve apo të atyre që vdiqën në burgje dhe në kampe pune të detyruar është një “problem administrativ në të cilin prokurorët nuk kanë rol për të luajtur”.

Për këtë ai iu referua Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukjet me Forcë, të cilën Shqipëria e ka ratifikuar në vitin 2008.

Sipas kësaj Konvente, “zhdukje me forcë konsiderohet arrestimi, ndalimi, rrëmbimi ose çdo formë tjetër privimi i lirisë nga agjentë të shtetit”.

Ndërsa prokurori shpjegon se mijëra shqiptarët e zhdukur gjatë kohës së komunizmit nuk bien në këtë kategori.

“Këta persona janë marrë nga organet e ndjekjes penale, janë gjykuar nga Gjykatat e dënuar me ligjet e kohës”, tha ai për BIRN.

Ai shtoi se Prokuroria e Përgjithshme “nuk ka marrë asnjë indikacion që mund të justifikonte hapjen e një hetimi”.

Varrosje në varre të pashënuara

Shqiptarët jetuan për 45 vjet nën një regjim totalitar komunist i cili u rrëzua në vitin 1991.

Regjimi përdori të burgosurit si krahë pune dhe mbajti mijëra anëtarë të familjeve të personave të klasifikuar si “armiq” – përfshirë gra e fëmijë, në një rrjet kampesh internimi.

Të mbijetuarit e këtyre kampeve thanë më pas se ata kishin qenë dëshmitarë se si të burgosurit vdiqën në këto objekte paraburgimi dhe se si shumica e trupave të tyre u varrosën në varre të pashënuara nga autoritetet e burgut.

Një kamp i tillë pune ndodhej pranë qytetit industrial të Ballshit, ku tani ndodhet një rafineri nafte jashtë pune.

Dihet gjerësisht se pranë ish-kampit, ka disa dhjetëra varre të pashënuara që u përkasin njerëzve që humbën jetën në paraburgim.

Raporti i fundit i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) tregon se shifrat e zhdukjeve midis viteve 1944 dhe 1991 shkon në rreth 6 mijë persona nga regjimi komunist.

Sipas të dhënave zyrtare, nga kjo shifër rreth 5 mijë e 501 prej tyre janë të dënuar për arsye politike, të cilët u ekzekutuan gjatë kësaj periudhe.

Mbi Ligjin për Dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, raporti vë fjalën te lënia jashtë e familjarëve që nuk zotërojnë një dokument që vërteton statusin e tyre.

Mungesa e një Task Force, që nga mbyllja e saj në 2014, është një tjetër problematikë që ngrihet në raportin e komisionit.

Nga Task Force, raport-vlerësimi merr në konsideratë Institutin për Integrimin dhe Rehabilitimin e ish-të Përndjekurve Politikë (IIPP) dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.

Në mbyllje të raportit, Komisioni e sheh të arsyeshme se, duke qenë se Shqipëria nuk ka një të ngjashëm të Institutit të Personave të Zhdukur, roli i këtij institucioni mund të zëvendësohet nga IIPP ose Autoriteti.

Mbi të gjitha, vlerësohet fakti që parlamenti shqiptar i ka dhënë më shumë rëndësi Autoritetit për të koordinuar hetimin dhe identifikimin e personave të zhdukur.

Problematikat e Institucionit të Autoritetit, sipas raportit, janë mungesa e stafit që kërkon mundësi trajnimi për sistematizimin, kategorizimin, hulumtimin dhe analizën e dokumenteve dhe të dhënave që disponon.

Rekomandimet i përkasin më shumë pikërisht institucionit të Autoritetit dhe përmbushjes së burimeve financiare dhe njerëzore nga ana e qeverisë, apo dhe me rritjen e besueshmërisë së vetë institucionit. /BIRN/

Exit mobile version