Site icon Telegrafi

Prokuroria Themelore do ta hetojë Ivanovin për shkelje të Kushtetutës

Prokuroria Themelore Publike do të ngrit hetim kundër kryetarit Gjorgje Ivanov për shkak të shkeljes së Kushtetutës. Kundër presidentit Ivanov janë dorëzuar dy padi penale anonime, për të cilat Prokuroria ka nisur hetimet.

“Lënda është në fazën parahetimore dhe për momentin po bëhen aktivitete që të vërtetohen pohimet në padi. Sipas nenit 75 të Kushtetutës, presidenti është i detyruar ta nënshkruajë dekretin e ligjit, nëse ai miratohet me dy të tretat e votave të deputetëve. Për këtë qëllim janë mbledhur disa të dhëna dhe informacione nga Kuvendi i Maqedonisë dhe Kabineti i presidentit Ivanov për atë se kur janë sjellur vendimet në shtëpinë ligjvënëse, gjegjësisht arsyet pse ligjet nuk janë nënshkruar nga presidenti”, thonë nga Prokuroria Themelore, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ivanov refuzoi të nënshkruajë Ligjin për gjuhë, si dhe ratifikimin për marrëveshjen e Prespës, që sipas Kushtetutës ishte i obliguar ta nënshkruajë.

Me arsyetimin se janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, presidenti Gjorge Ivanov së pari refuzoi të dekretojë Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ndërsa më pas nuk miratoi as marrëveshjen e Prespës, e cila u nënshkrua mes Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e çështjes së emrit

Presidenti Ivanov, disa herë ka dalur kundër miratimit të Ligjit për gjuhët, i cili tashmë një kohë të gjatë, edhe pse është miratuar nga deputetët, akoma nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe nuk ka hyrë në fuqi

Shumica parlamentare në disa raste ka paralajmëruar impiçment për Ivanovin, i cili tashmë do të hetohet edhe nga Prokuroria Themelore./Telegrafi/

Exit mobile version