Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se agjencia “BCD Travel”, me seli dikur në Bregun e Diellit në Prishtinë, tani është duke funksionuar online, në rrjetet sociale, me disa persona të dyshuar se në bashkëkryerje po mashtrojnë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe të vendeve fqinje me aranzhmane turistike në Turqi, Dubai, Maldive, Egjipt, si dhe përmes shitjes së biletave të fluturimeve në vendet e Evropës.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria sqaron se ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast, ku dyshohet se ky grup i personave ka mashtruar qindra qytetarë, të cilët kanë paguar shuma të konsiderueshme të parave, kinse për sigurimin e vizave në vendet evropiane, ashtu që prokurori i shtetit është duke vazhduar me trajtimin e rastit në fjalë dhe ndërmarrjes së veprimeve të tjera hetimore.
“Ju sigurojmë se, Prokurori i Shtetit është duke e trajtuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm këtë rast dhe personat e përfshirë në kryerjen e veprave penale do të ndiqen penalisht. Andaj u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët janë të dëmtuar nga ky agjencion turistik, të bashkëpunojnë me organet e rendit, pasi synimi kryesor është luftimi i suksesshëm i krimit dhe sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe mos të bien pre e mashtrimeve të tilla”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/