Site icon Telegrafi

Prokuroria: Plani ishte që Dëshmitari C të japë deklaratë të rrejshme, në këmbim të një banese dhe 40 mijë eurove

Frikësimi i dëshmitarëve është një kapitull i veçantë në aktakuzën gjigante të prokurorit Romulo Mateus, në rastin ku po akuzohen 24 persona, lidhur me arratisjen e Sami Lushtakut.

Lexo po ashtu Rrëfimi i Dëshmitarit C për rastin “Drenica”: EULEX-i e montoi deklaratën time, më kërcënuan në emër të Lushtakut (Dokument)

Mateus pretendon se Sami Lushtaku, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota dhe Fatmir Mjaku kanë penguar të provuarit dhe kanë frikësuar gjatë procedurës penale.

Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota e Fatmir Mjaku akuzohen se në periudhën qershor 2013 – prill 2015, e kanë bërë një plan në bashkëpunim, i cili për qëllim kishte që Dëshmitari C të bindej që të ndryshonte deklaratën.

“Plani ishte që ai të japë një deklaratë të rrejshme në çështjen penale P. 938/13, duke i premtuar atij një shpërblim prej 40 mijë euro dhe një banesë e po ashtu edhe pagesë për shërimin e gruas së tij të sëmurë, në shkëmbim të tërheqjes së deklaratës së tij”, thuhet në aktakuzë.

I njëjti, sipas aktakuzës, në procedurën paraprake kur ishte intervistuar kishte dhënë prova të mëdha ndaj të akuzuarve Sahit Jashari, Sami Lushtaku e Sabit Geci.

Prokurori i EULEX-it përmend faktin se përkundër se gjatë rrjedhës së gjykimit u ndërmorën disa masa nga Gjykata siç ishin përdorimi i pseudonimeve për disa dëshmitarë, dhënia e dëshmisë përmes video-linkut, fshehja e të dhënave personale dhe mbulimi apo ruajtja e identitetit të tyre, prapë dëshmitari C insistoi që të jepte deklaratën e tij në gjykim të hapur, personalisht, prezent.

Prokurori Matues përshkruan në aktakuzë se si deklarata e dëshmitarit në procedurë paraprake C ndryshoi rrënjësisht nga ajo e dhënë në shqyrtim gjyqësor. /kallxo.com/

Exit mobile version