Site icon Telegrafi

Prokuroria për rastin e zv.ministrit që dyshohet për ryshfet: Publikimi i audio-incizimit na ka vështirësuar punën hetimore

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar të premten lidhur me rastin e zëvendësministrit të Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji, i cili dyshohet se është përfshirë në një aferë ryshfeti.

Portali Insajderi një ditë më parë ka publikuar audio-incizimet që dëshmojnë përfshirjen e tij në këtë aferë për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh.

E publikimi i këtyre provave sipas Prokurorisë, e ka vështirësuar punën hetimore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me audio-incizimin e publikuar ditëve të fundit nga një portal vendor, për një grant qeveritar, se para plasimit të këtyre provave në publik, në Prokurori janë deponuar audio-incizime, për të cilën çështje Prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar policinë për të grumbulluar informata dhe prova, mirëpo publikimi i provave në opinionin publik që ndërlidhen me këtë çështje, na ka vështirësuar punën hetimore”, thuhet në komunikatën për media.

Andaj, me qëllim të ruajtjes së interesit të përgjithshëm të këtij rasti dhe rasteve të tjera në të ardhmen, të cilat janë në fazën e hetimeve, Prokuroria ka kërkuar të mos publikohen prova “të cilat dëmtojnë integritetin e hetimeve”. /Telegrafi/

Exit mobile version