Telegrafi

Prokuroria nis hetimet ndaj Zyrës së Prokurorit Disiplinor

Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor (ZPD), Zef Prendrecaj, dhe dy inspektorë të këtij institucioni, do të hetohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, pas shqyrtimit të kallëzimit penal të dorëzuar kundër tyre nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqri Syla.

Aktvendimin për fillimin e hetimeve, prokuroria e ka arsyetuar me gjetjen e elementeve të veprës penale, shkruan “Koha Ditore”.

Për dorëzimin e kallëzimit penal, “Koha Ditore” ka shkruar javën e kaluar.

Kryeprokurori Syla pretendon se Prendrecaj dhe dy inspektorët, Kadri Begolli dhe Arianit Salihu, kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke mos e hetuar ish-prokuroren, Vahide Badivuku, edhe pse kishte dorëzuar disa ankesa në ZPD për shkelje disiplinore.

Syla ka thënë se është duke u shantazhuar me një hetim që është duke u zhvilluar ndaj tij prej kësaj zyre.