Site icon Telegrafi

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj mësuesit i cili për hakmarrje vrau babain e nxënëses që e kishte sulmuar seksualisht

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj mësuesit në Pejë, Xhevdet Januzaj, ndaj të cilit rëndon akuza se në maj 2021, për shkak të hakmarrjes kishte privuar nga jeta, të ndjerin G.K, prindin e nxënëses të cilën i pandehuri e kishte  sulmuar seksualisht.

Në lidhje me këtë aktakuzë, në seancën e sotme pranë Gjykatës Themelore në Pejë, nën udhëheqjen e gjykatësit, Murat Hulaj, u mbajt seanca e shqyrtimit fillestar.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e rastit, Sahide Gashi, i pandehuri u deklarua i pafajshëm  për veprimet për të cilat akuzohej, duke e kundërshtuar cilësimin juridik të veprës penale.

“Veprën e kam kry por jo në këtë formë siç pom akuzon Prokuroria”, tha i pandehuri.

Gjykatësi e njoftoi të pandehurin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Esat Gutaj që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe përkitazi me këto kërkesa do të vendoste jashtë seance.

Ndryshe, gjykatësi poashtu konstatoi se kishte kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimi fillestar dhe nuk ishte e detyrueshme prania e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Osman Havolli. Ky i fundit kishte kërkuar që seanca e sotme të shtyhet për sesionin e pasdites mirëpo gjykatësi Hulaj ishte i zënë me një gjykim tjetër në sesionin e pasdites.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 14 shkurt 2022, e ngarkon të pandehurit Xhevdet Januzaj se më 18 maj 2021, rreth orës 15:30 min në Pejë, në terracën e Restorantit “Te Zhara”, me paramendim e ka provokuar sulmin dhe ka privuar nga jeta të ndjerin G.K, nga hakmarrja e paskrupullt.

Kjo hakmarrje sipas prokurorisë kishte filluar pasi djali i të ndjerit më 29 dhjetor 2019, e kishte sulmuar fizikisht të pandehurin në vendin e tij të punës, pasi i pandehuri kishte sulmuar seksualisht motrën e tij minore dhe për më tepër ishte shpallur fajtor dhe gjykuar me dënim burgimi prej 3 vite e gjysëm nga Gjjykata e Pejës.

Lexo po ashtu Arrestohet i dyshuari për vrasjen e babait të nxënëses së tij në Pejë

Sipas prokurorsë, pasi i pandehuri ishte lënë nga Gjykata e Pejës të mbrohet në liri, ishte pajisur me armë të tipit ‘’Rex Zero1CP”, që e kishte për shejtari, i cili më pas kishte vëzhguar lëvizjet e të ndjerit dhe familjarëve të tij në afërsi të banesës së tyre.

Tutje theksohet se i ndjeri ishte njoftuar nga komshinjtë e tij se kanë parë të pandehurin me sopatë duke i pritur në lokalin “Relax”, për cka viktima G.K kishte lajmëruar dhe kërkuar mbrojtje nga policia por pa sukses, njofton BD.

Ndërkaq, në ditën kritike i ndjeri e vëren të pandehurin ulur afër banesës së tij në tarasën e lokalit, hynë në mbrendësi të lokalit dhe pretë që i pandehuri të largohet, e kur kjo nuk ndodh, del dhe ulet në tavolinën e tij dhe pasi nxjerr pistoletën që kishte në xhepin e setrës me mbishkrim  “Mauser”, ia drejton dhe kërkon nga i pandehuri që të largohet me fjalët “qu hec prej ktuhit”.

Mirëpo, sipas Prokurorisë, i pandehuri nuk largohet dhe i ndjeri me armën e tij tenton që të shtie në të por arma e tij bllokohet dhe më pas i pandehuri nxjerr armën që kishte bërë gati nga qanta e krahut dhe qëllon mbi viktimën 13 herë, duke e lënë të vdekur në vend dhe duke rrezikuar jetën e kamarierit i cili ishte afër viktimës.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Vrasjes së rëndë”, nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 e 1.8 të KPRK-së, për të cilën parashihet dënimi jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Januzaj edhe për shkak të veprës penale të përdorimit të armës.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 par.2 të KPRK-së, për të cilën parashihet dënimi  prej 1 deri 8 vite burgim.

Exit mobile version