Telegrafi

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Haki Rugovës

Rreth tre muaj pasi Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte nisur hetimet ndaj kryetarit të Istogut, Haki Rugova, këto hetime kanë rezultuar me aktakuzë.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës e konfirmoi kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj.

“Po është ngritur aktakuzë, vepra është konflikt i interesit ndërsa është dorëzuar në Gjykatën Themelore të Pejës”, tha Selimaj, për Kallxo.com.

Në janar të këtij viti portali kishte raportuar se Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte nisur hetimet ndaj Haki Rugovës bazuar në kallëzimin penal të Agjencisë Kundër Korrupsion.

Në kallëzimin penal të kësaj Agjencie shpjegohej për dyshimet ndaj kryetarit të Istogut.

“Haki Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës sipas aktivitetit të prokurimit ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”, thuhej në kallëzim.