Prokuroria Themelore Publike informon se ka dorëzuar akt prokuror kundër gjashtë personave të dyshuar për vepra të rënda kundër sigurisë së qytetarëve dhe pasurisë në komunikacion, që ka rezultuar me aksidentin e rëndë të autobusit “Durmo Tours”, në të cilin jetën humbën 16 persona, ndërsa 38 tjerë u lënduan.
Siç thonë nga Prokuroria, në periudhën 02.07.2018 deri 13.02.2019, i akuzuari pronar i kompanisë dhe personi përgjegjës për flotën e transportuesit, nuk i janë përmbajtur rregullave për sigurinë e trafikut të autobusëve dhe transportit publik, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se mund të ketë pasoja të mëdha, kanë shkaktuar rrezik për jetët e personave që kanë qenë në autobus në ditën kritike në relacionin Shkup-Gostivar. Pronari i kompanisë transportuese, ka poseduar vetëm certifikatë për kompetencë profesionale në komunikacionin rrugor, si kusht për marrjen e licencës për kryerjen e transportit publik. Ai edhe pse ka qenë i detyruar që si person përgjegjës, nuk ka organizuar e as nuk ka kryer kontrolle mbi përmbushjen e rregullave për punën e shoferit dhe kontrollit teknik të makinës, me çka ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për siguri në komunikacion”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Më tej thuhet se pronari i kompanisë nuk ka mbajtur llogari për tahografin analog dhe ka lejuar të bëhen manipulime me këtë pajisje për të mos e regjistruar shpejtësinë e lëvizjes së autobusit.
Tre persona tjerë të akuzuar janë të punësuar në stacionin për kontrolle teknike, gjithashtu për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve në komunikacion”.
Ndërsa personi i gjashtë që është përfshirë në aktakuzë është shoferi i autobusit, i cili sipas Prokurorisë gjatë aksidentit autobusin e ka drejtuar me shpejtësi prej 99 km/h.
Prokuroria njofton se për këto të akuzuar ka dorëzuar propozim për shqiptimin e masës së paraburgimit./Telegrafi/