Site icon Telegrafi

Prokuroria ngre aktakuzë për një pjesëtar të ISIS-it

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit L. R., për shkak se ka kryer vepër penale, organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste.

Sipas aktakuzës i pandehuri më gjashtë (6) korrik të vitit 2014, me qëllim të bashkimit në organizatën terroriste ISIS, kishte shkuar në Turqi përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në linjën Prishtinë – Stamboll.

Lexo po ashtu Konfiskohen afër 10 mijë kilogramë mish në Deçan

“Ndërsa, më datë 11 apo 12 korrik 2014, nën organizimin e disa shtetasve turq kishte kaluar në mënyrë ilegale kufirin Turqi – Siri, dhe është vendosur në një kamp ushtarak në qytetin Jarabulus – Aleppo të Sirisë, i udhëhequr nga grupi terrorist i quajtur ‘ISIS’, ku ka qëndruar rreth dy javë, dhe gjatë kësaj kohe kishte ndjekur ligjërata mbi Sheriatin dhe rregullat e ISIS-it, dhe më pas ishte dërguar në një kamp ushtarak në qytetin Rakka të Sirisë të udhëhequr po ashtu nga grupi terrorist ‘ISIS’”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

I pandehuri L.R., më vonë ishte dërguar në qytetin Falluxha të Irakut, i kontrolluar po ashtu nga grupi terrorist “ISIS”, ku kishte kryer trajnimin ushtarak një ditor mbi përdorimin e armëve të zjarrit dhe më pas me qëllim të ofrimit të ndihmës së parë mjekësore ushtarëve të plagosur ishte dërguar në një nga spitalet e këtij qyteti, dhe gjatë shërbimit të tij si pasojë e sulmeve ajrore mbi objektin e spitalit i njëjti kishte marr plagë të rënda trupore.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga gjykata që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Exit mobile version