Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur lëndë për tenderin e mbikëqyrjes së punimeve në Korridoret 8 dhe 10-D. Procedura e hapur do të zhvillohet mbi bazën e denoncimeve publike.
“Për t’i shqyrtuar pretendimet e dala në opinion është hapur lëndë mbi bazën e denoncimit publik. Lënda është ndarë te prokurori përkatës cili do të ndërmerr hapa dhe do të konstatojë me vendim përkatës për procedurën e mëtejme”, njoftojnë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski i ballafaquar me skandale të reja të dala nga tenderi për mbikëqyrje, sot i bëri thirrje organeve të ndjekjes penale të marrin hapa konkret për t’i vërtetuar pohimet.
“Unë bërë thirrje edhe paraprakisht por ja po e përsëris t’i shqyrtojnë të gjitha pretendimet për të cilat raportojnë mediat dhe në bazë të tyre të sillen vendime përkatëse”, deklaroi Dimitar Kovaçevski.
Kompania përbërëse e grupit mbikëqyrës të udhëhequr nga “IRD Inxhiniering”, “Elektra Sollushëns” dyshohet të ketë deklaruar rrejshëm numrin e të punësuarve në kompani gjatë arritjes së marrëveshjes për mbikëqyrjen e punimeve të Bechtel&Enka në Korridoret 8 dhe 10-D. Gjatë negociatave kjo kompani ka deklaruar 32 të punësuar, ndërsa në Regjistrin Qendror rezulton se në fund të vitit 2022 ka deklaruar gjendje aktuale me vetëm 2 të punësuar. Kjo ka ngritur dyshimet nëse “IRD Inxhiniering” bashkë me kompanitë e tjera kanë fituar tenderin e mbikëqyrjes duke manipuluar me të dhënat mbi kushtet e parapara.
Ndërkohë dhjetëra inxhinierë të angazhuar në projekt të cilët janë betuar se do të jenë në shërbim të projektit plotësisht, rezulton të jenë të angazhuar edhe në projekte tjera. Tenderin e mbikëqyrjes së punimeve me vlerë prej 22,3 milion euro e fitoi grupi i kompanive të udhëhequra nga “IRD Inxhiniering” në bashkëpunim me “Evrokonsallting”, “EPTISA” dhe “Elektra Sollushëns”. Tashmë 3 javë nga nënshkrimi marrëveshjes për të gjitha kompanitë e lartpërmendura mediat kanë zbuluar afera të cilët mund të cenojnë besueshmërinë dhe imazhin e tyre. /Alsat/