Shoferi i autobusit nga Kosova, të cilin të dielën e zuri gjumi derisa ishte prapa timonit dhe si pasojë shkaktoi aksident ku humbën jetën 10 pasagjerë, është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit në Sllavonski Brod, por ai u mbrojt në heshtje.
Gjatë marrjes në pyetje një zyrtar i prokurorisë në Kroaci, Franjo Kopuniq, ka bërë të ditur se është kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit, por deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim, transmeton Telegrafi.
E verdikti pritet të merret sot në ora 9, e për shoferin 52-vjeç dyshohet se ka kryer veprën e shkaktimit të aksidentit në autostradën A3.
“E kam marrë në pyetje, por ai është mbrojtur në heshtje. Pas kësaj do të merret vendimi lidhur me këtë rast. Vendimi do të merret sot në ora 9 në Sllavonski Brod”, ka shtuar Kopuniq.
Ai gjithashtu ka konfirmuar se shoferit të autobusit nga Kosova i është caktuar një avokat mbrojtës. E pas marrjes në pyetje është rikthyer në mbajtje ku për dy ditë është duke qëndruar.
Nëse shpallet fajtor, sipas ligjeve që janë në fuqi në Kroaci, ai rrezikon të dënohet nga 6 muaj e deri në 15 vite burgim. /Telegrafi/