Telegrafi

Prokuroria në Gjilan ngrit aktakuzë ndaj burrit që vrau gruan me shufër metalike në Berivojcë të Kamenicës

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit N.M., i cili gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 25 Korrik 2020.

Siç njoftohet, sipas aktakuzës, i pandehuri N.M., më 25 Korrik 2020, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.M., ashtu që pas fjalosjes, i njëjti me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e ka goditur në dorën e majtë dhe në kokë, e cila pasi është rrëzuar në dysheme, përsëri ka vazhduar ta godasë disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

“Në këtë mënyrë, i pandehuri N.M., ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente në Gjilan, që të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit dhe të shpallet fajtor për këtë vepër penale.