Telegrafi

Prokuroria në Gjilan kërkon caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të arrestuarve të përfshirë në incidentin gjatë ndeshjes Gjilani-Ballkani

(Foto: Screenshot/Facebook)

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se të dielën janë ndaluar për 48 orë dy persona me dyshimin për përfshirje në incidentin gjatë ndeshjes Gjilani-Ballkani, me ç’rast u sulmua portieri mysafir Stivi Frashëri, ndërsa gjatë ditës së sotme (e hënë) ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtëve.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, me datë 03.04.2022, ka ndaluar për 48 orë dy persona, F.R dhe B.K, për shkak të dyshimit se secili veç e veç kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 404 par.1 të KPRK-së”.

“Sot, me datë 04.04.2022, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj F.R dhe B.K, për shkak të dyshimit se secili veç e veç kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi nga neni 404 par.1 të KPRK-së”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit me datë 03.04.2022 rreth orës 15.20h, në Gjilan, në Stadiumin e Qytetit, përderisa zhvillohej ndeshja futbollit në mes të SC-Gjilani dhe KF Ballkani, nën pretekstin kinse të festimit të golit të barazimit, hyn në fushën e futbollit, bashkë me një turmë të madhe tifozësh, ku bëheshin veprime huligane me gjuajtje sendesh dhe fishekzjarrë, derisa njëri I pandehur e shtyn dhe e rrëzon për toke, tjetri e godet me shqelm në fytyrë të dëmtuarin S.F, i shkakton lëndime trupore dhe rrezik të përgjithshëm për eskalimin e situatës”, thuhet në komunikatën për media të Prokuroria Themelore në Gjilan.

Lexo po ashtu Stivi Frashëri është liruar nga spitali, ndërsa Ballkani i rikujton Gjilanit se si është pritur në Therandë

Kujtojmë që në ndeshjen e të dielës në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, portieri i Ballkanit, Stivi Frashëri, u sulmua nga tifozët vendas.

Me këtë rast, ai u godit edhe në kokë dhe u dërgua me autoambulancë për trajtim në spital. /Telegrafi/