Telegrafi

Prokuroria në Ferizaj ngrit aktakuzë kundër dy vëllezërve për vrasje dhe djegie të viktimës

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, Prokurori i Shtetit Veton Shabani, ka ngritur aktakuzë kundër dy personave me inicialet T.L., dhe D.L, për rastin e vrasjes në komunën e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, i pandehuri T.L., me 08 dhjetor 2019, rreth orës 18:00 në fshatin Surqinë, komuna e Ferizajt, me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka privuar nga jeta tani të ndjerin Sh.B.,duke e qëlluar në pjesën e pasme të kokës me revole, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse, me ç’rast ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Ndërsa, i pandehuri tjetër, D.L., në mënyrë që ta ndihmojë vëllain e tij, marrin trupin e të ndjerit e fusin në bagazh të veturës duke e dërguar në fshatin Kishnapole dhe e hedhin në një përroskë me qëllim që t’i fshehin provat e veprës penale, ku pastaj i pandehuri T.L., shkon tek pompa e derivateve për të blerë benzinë dhe kthehet përsëri ne vendin ku kishin hedhur trupin e të ndjerit, me ç’rast e spërkat me benzinë dhe ia vë flakën, me ç’rast ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”.

Gjithashtu, Prokurori i Shtetit i ka propozuar  Gjykatës që të konfiskohet arma me të cilën është kryer vrasja si dhe vetura e markës “Porsche Panamera”, e cila ka mundësuar në kryerjen e veprës penale.

Në këto veprime të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit me dënim adekuat për ngjarjen e rëndë. /Telegrafi/