Telegrafi

Prokuroria mbyll dosjen: Ajshe Vata u vra nga plaku Norja

Prokuroria e Durrësit ka mbyllur hetimet për vrasjen e 18 vjeçares Ajshe Vata në Xhafzotaj të Durrësit, ndërsa si autor për ekzekutimin e saj provohet i moshuari Shaban Norja.

Ndërkaq, dosja është depozituar në gjykatë në pritje të gjykimit dhe dhënies së dënimit për plakun-monstër.

Nga ana e Prokurorisë thuhet se 80 vjeçari Norja ka vepruar i vetëm, duke vrarë nënën e fëmijës së tij, fillimisht me armë dhe më pas i ka prerë kokën për të mos u identifikuar kufoma.

Në dëshminë e tij në polici, siç raporton NOA, Norja ka treguar se me adoleshenten që priste të niste studimet e larta pasi përfundoi Medresenë, kishte një lidhje intime prej më shumë se dy vitesh.

Po ashtu Norja konfirmoi se ishte ai babai i foshnjës tremuajshe që Ajshja priste. Por, konfirmimi i Norjes ishte thjesht afirmim i analizave të ADN-së që treguan se Shaban Norja ishte baba i bebes së vdekur ende pa ardhur në jetë.

Norja u shpreh para hetuesve se kishte mësuar për shtatzëninë e Ajshes vetëm pak ditë para se ta vriste atë. /Telegrafi/