“Kontrolli teknik i autobusit të kompanisë Durmo Tours, që ishte pjesë e aksidentit të madh në afërsi të fshatit Llaskarcë, nuk është realizuar sipas procedurave standarde”.
Këtë qëndrim në seancën e sotme për rastin “Llaskarca” e prezantoi prokurori Darko Jakomovski, i cili tha se autobusi më 2 korrik 2018 ka hyrë në kontroll në orën 14:16, ndërsa ka dalë në 14:18, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Gjatë kontrollit teknik të këtij autobusi mund të shihet se nuk ka pasur asnjë kontroll në kanalin punues. Gjithashtu mund të shihet se autobusi nuk i është nënshtruar sistemit të dridhjes, e cila është metodologji që zbatohet tek makinat tjera”, tha prokurori Jakimovski.
Mbrojtja reagoi ndaj këtyre dëshmive të prokurorive, duke i vlerësuar si irrelevante.
Në seancën e sotme dëshmoi edhe i akuzuari Bovarovski, i cili në disa video është parë duke lëvizur rreth autobusit pas aksidentit.
Seanca e radhës për aksidentin në Llaskarcë, është caktuar për më 14 maj.
Në këtë rast të akuzuar janë gjashtë persona, në mesin e të cilëve edhe pronari i kompanisë “Durmo Tours”.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit ngarkohen për kryerjen e veprës së rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronave në komunikacion.
Në këtë aksident humbën jetën 16 persona, ndërsa mbi 30 u lënduan./Telegrafi/