Organi i akuzës është duke verifikuar telefonatat e kryera nga drejtuesit e Gardës gjatë intervalit kohor prej pesë orësh për të provuar se prej nga kanë marrë urdhrin për të qëlluar ndaj demonstruesve jashtë rrethimit të Kryeministrisë, raportoi të hënën e përditshmja Shqip.
Burime të besueshme nga Grupi hetimor i kanë thënë gazetës se nuk kanë bashkëpunimin e nevojshëm nga Garda e Republikës. Sipas këtyre burimeve dokumentet e sekuestruara nga ky institucion nuk hedhin dritë mbi asnjë veprim konkret gjatë demonstratës së 21 janarit, por kanë mundur të marrin thjesht planin paraprak të masave.
“Krahas bashkëpunimit të pakët të gardës, grupi hetimor po has vështirësi në marrjen e provave edhe nga policia e shtetit,” i kanë thënë gazetës burime të Shërbimit Informativ.
E vetmja mundësi për një hetim të pavarur mbeten telefonatat e bëra nga drejtuesi i Gardës dhe shefat e njësive operacionale.
Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi deklaroi disa ditë më parë gjatë seancës dëgjimore në Komisionin hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit se
gjatë pesë orëve të demonstratës ka komunikuar me telefon, ndër të tjerë me kreun e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha.
Ndërkohë, dita e sotme shënon afatit e fundit për dorëzimin e të gjitha tabulateve telefonikë nga kompanitë celulare pranë Komisionit hetimor, raportoi të hënën e përditshmja Shekulli. Mësohet se deri të dielën asnjë nga kompanitë që operojnë në tregun shqiptar nuk ka dorëzuar tabulatet e kërkuara pranë komisionit.
Kërkesa për marrjen e tabulateve telefonike është paraqitur nga deputeti Enkelejd Alibeaj, i cili vuri në dukje se kompanitë kishin pesë ditë në dispozicion për dorëzimin e tyre. /Telegrafi/