Telegrafi

Prokuroria kërkon paraburgim për njërin nga mjekët e Spitalit të Vushtrrisë – personi i tretë ende në arrati

Gjatë të martës më 10 janar, me urdhër të Prokurorit të Shtetit u arrestuan dy persona të dyshuar –mjekë të spitalit në Vushtrri, E.S dhe A.L nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”.

Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit. E prokurori i rastit ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj E.S

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Për njërin person të ndaluar, me iniciale E.S., Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, dhe seanca pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë”, ka thënë Preteni.

Ai ka shtuar se i ndaluari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

“I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt, ndërkaq personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar ende pasi që ende nuk është arrestuar”, ka deklaruar Preteni.

Lidhur me skandalin ku dyshohet se janë përfshirë këta tre mjekë kishte reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.

MSh-ja tha se tre kirurgë tashmë një kohë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion.

“Në lidhje me rastin e rapotuar në medie për rastin e Spitalit të Vushtrrisë, Ministria e Shëndetësisë përmes Bordit të ShSKUK- së, sot pasdite ka pranuar njoftimin zyrtar nga Spitali i Vushtrrisë, “Shekih Zajed” së tre kirurgë tashmë një kohë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion”, thuhej në njoftim. /Telegrafi/