Telegrafi

Prokuroria kërkon paraburgim për Jakimovskin, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit informon se tek gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Shkupi 1, ka dorëzuar propozim për shqiptimin e masës së paraburgimit për tre persona, shtetas të Maqedonisë.

Nga Prokuroria informojnë se ekzistojnë dyshime të bazuara se personat kanë kryer veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ndërsa një person tjetër dyshohet për veprën penale “ndërtim pa leje”, njofton Telegrafi Maqedoni.

Siç informojnë nga Prokuroria, të dyshuarit në mesin e të cilëve është edhe ish-kryetari i Karposhit Stevçe Jakimovski, kanë tejkaluar kompetencat zyrtare dhe kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shuma të mëdha.

Jakimovski së bashku me shtatë persona tjerë dyshohen nga Prokuroria për kryerjen e veprave të ndryshme penale, të cilat janë bashkuar në një lëndë.

Ndryshe, Jakimovski u arrestua edhe në gusht të vitit të kaluar me kërkesë të Policisë Financiare për shkak të dyshimeve për keqpërdorimin e detyrës zyrtare gjatë kohës sa ka qenë kryetar i Komunës së Karposhit./Telegrafi/