Prizren- Prokuroria Themelore në Prizren ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj M.G., e dyshuar për aksidentin e së dielës në Shirokë të Suharekës, ku vdiqën dy persona.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Fitore Mehmeti, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Mehmeti theksoi se M.G dyshohet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin e aksidentit me fatalitet të ndodhur në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë M.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9, lidhur me paragrafin 6 dhe 1, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Lidhur me rastin, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e Mehmetit.
Ndryshe, të dielën, Policia njoftoi se si pasojë e një aksidenti mes veturës dhe motoçikletës, ka ndërruar jetë personi që po drejtonte motoçikletën dhe bashkudhëtari i tij. Po ashtu, Policia njoftoi se e dyshuara është dërguar në mbajtje.
Kurse, përmes raportit 24 orësh, të hënën, Policia bëri të ditur se deri tek aksidenti dyshohet se erdhi pasi e dyshuara derisa ishte duke e drejtuar automjetin e saj, nga pakujdesia kalon në shiritin e kundërt të rrugës dhe goditet me motoçikletën.