Tre mjekë janë angazhuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për të dhënë mendim brenda ekspertizës së katërt që po i bëhet vdekjes së Hamdi Sopës, ish-zyrtar për informim në Qeverinë e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Dy ekspertizat e fundit, për dallim prej të parës, e kanë hedhur poshtë mundësinë për vrasje, duke e cilësuar si vetëvrasje.
Mirëpo, burime të gazetës “Koha Ditore” brenda Prokurorisë thonë se konstatimi te këto ekspertiza është dhënë vetëm prej një mjeku, duke e konsideruar këtë si jonormale.
Të njëjtat burime kanë thënë se me këtë ekspertizë Prokurorisë po i intereson të vërtetojë vetëm një detaj, nëse kishte qenë i vdekur apo i gjallë kur Sopa kishte rënë prej katit të nëntë të ndërtesës në vitin 2013, në Prishtinë.