Prishtinë-Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare, prokurori special Afrim Shefkiu ka kërkuar dënimin e të akuzuarit për përgatitje të sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI, Blend Vrajolli, kurse mbrojtësi i tij, avokati Arben Kelmendi kërkoi lirimin e Vrajollit nga akuza.
Vrajolli po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Shefkiu pasi e dorëzoi me shkrim fjalën përfundimtare, tha se nga administrimi i provave materiale, është vërtetuar se i akuzuari Vrajolli ka kryer veprën që i vihet në barrë dhe kërkoi që ai të dënohet sipas ligjit.
Ndërsa, avokati Kelmendi pasi e dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim, tha se nuk ka prova të mjaftueshem se klienti i tij ka kryer veprën penale me të cilën po ngrakohet.
Andaj, Kelmendi kërkoi nga Gjykata që ndaj Vrajollit të nxjerrë aktgjykim lirues në mungesë të provave.
Gjithashtu, avokati Kelmendi i propozoi Gjykatës që të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj klientit të tij, por këtë propozim e kundërshtoi prokurori Shefkiu.
Edhe vetë i akuzuari Vrajolli, gjatë fjalës përfundimtare kërkoi nga gjykata lirim nga akuza.
“Kërkoj nga trupi gjykues që të ma mundësoj t’ju rikthehem familjes dhe se të më lirojnë nga e gjithë kjo aktakuzë”, tha Vrajolli.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 15 shtator 2023, ka ngritur aktakuzë kundër Blend Vrajollit, me nofkën “Ebu Ubejdi“, i cili ngarkohet se më 21 shkurt 2023, me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite përmes Aeroportit të Shkupit për në Kosovë, e me rastin e ndaljes dhe kontrollit në pikën kufitare Hani i Elezit, në stop-listë e duke sjellë mesazhin dhe harta të pranuara përmes profilitt të tij “Proxyal“ në rrjetin social “Telegram“ të pranuar nga personi me emrin “Dagllas“ Muhaxheri, ka bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë.
Sipas aktit akuzues, thuhet se Vrajolli kishte bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë, me materie të rrezikshme dhe vdekjeprurëse për jetën e njerëzve në kombinim me nitrate dhe kalcium, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI dhe në pikën kufitare Merdar, ku në të njëjtën ditë ai arrestohet nga Policia e Kosovës.
Me këto veprime, Vrajolli akuzohet se ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës“, nga neni 138, paragrafi 1 lidhur me veprën penale kryerja e veprës terroriste nga neni 129, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).