Telegrafi

Prokuroria kërkon asistencë amerikane

Ina Rama tha se përgjegjësia për hetimin është e prokurorisë shqiptare dhe nënvizoi se ndjehet në pozicionin e saj kushtetues, me detyrën për të bërë një hetim të drejtë dhe të paanshëm për të gjithë. “Hetimi është çështje e prokurorisë shqiptare, ai do të vazhdojë, është detyrë e jona të japim përgjigje", tha Ina Rama në një konferencë të përbashkët shtypi me ambasadorin amerikan në Tiranë, Alexandër Arvizu.

Rama tha se ka kërkuar ndihmë nga SHBA-të për hetimin dhe se shpreson në një përgjigje pozitive për këtë. Kryeprokurorja theksoi se hetimet e prokurorisë kanë të bëjnë me vrasjen e tre viktimave dhe veprat penale të goditjes së policisë dhe shkatërrimit të pronës. Rama theksoi se konkluzionet do të jepen në përfundim të hetimeve dhe pasi të qartësohen rrethanat e ngjarjes.

Duke komentuar mosekzekutimin e urdhër-ndalimeve për drejtuesit e Gardës së Republikës, Rama tha se “mendojmë që do kishim më shumë të dhëna për hetimin nëse urdhrat do të ishin ekzekutuar”. Ajo shtoi gjithashtu se prokuroria ka pasur dyshimet se këta persona kanë qenë të përfshirë në ngjarjet e së premtes dhe se nuk ka pasur mundësi tua bëjë të ditura arsyet e kërkesës për ndalim atyre personave.

Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu theksoi se çështja thelbësore që ka dalë tani është çështja e hetimit e cila sipas ligjit shqiptar është nën autoritetin e Prokurorisë së Përgjithshme. “Prokuroria e Përgjithshme ka lidershipin në hetimin e ngjarjeve", theksoi Arvizu, duke shtuar se SHBA-të e mbështesin plotësisht atë.

Ambasadori tha gjithashtu se do ta dërgojë në Washington kërkesën e kryeprokurores për asistencë teknike dhe nënvizoi se shpreson se përgjigja do të jetë pozitive. “Do të punohet megjithatë për hollësitë. Do të demonstrojmë sinqeritetin tonë për vendosjen e një klime më të mirë politike në Shqipëri”.

Ambasadori nënvizoi shpresën se dy liderët politikë do të shqyrtojnë shtyrjen ose anulimin e grumbullimeve të tyre këtë javë. /Telegrafi/